EKSKLUZIVE/ Trubullirat financiare në shtetin helen kanë bërë që turistët nga shumë vende të botës të anulojnë pronotimet e tyre. Por e kundërta ndodh me shqiptarët. Në një analizë të Java News duke u bazuar në të dhënat e tre agjensive turistike në Tiranë ( Kalemi Travel, Savatours dhe Plazh.com) rezulton se shqiptarët preferojnë ishujt grek për të kaluar pushimet edhe pse Greqia është në krizë të thellë ekonomike e nuk po shikon dritë në fund të tunelit.
“Kriza deri tani s’ka ndikuar fare, fusha e turizmit nuk është prekur madje mund të themi që është rritur, dhe hotelet në Greqi janë tashmë plot. Janë pothuajse të njëjtat shifra si dhe vitin e kaluar”, është kjo përgjigjia që ka dhënë punonjësja e agjensisë Kalemi Travel.
Për dy agjensitë e tjera situata është pak më ndryshe. Nga Savatours dhe Plazh.com thanë për Java News se kriza greke ka ndikuar në uljen e tarifave për paketat turistike. Në krahasim me vitin e kaluar pjesa më e madhe e destinacioneve të ofruara kanë pësuar një rënie nga 100-150 euro.
“Pavarësisht se bankat greke janë të mbyllura plazhet janë të hapura për të gjithë”, tha një punonjëse e agjensisë Plazh.com.
Destinacionet më të preferuara në Greqi nga shqiptarët janë: Korfuzi dhe Kalkidhikia. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me mjete private e bëjnë të frekuentuar dhe të pëlqyer nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë. Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 10 apo 6 ditë qëndrim e ku çmimet variojnë nga 410 euro për person në rreth 800 euro për person.
Nga të dhënat zyrtare tremujori i parë i vitit 2015 regjistroi shifra pozitive sa u përket të ardhurave të shpenzuara nga shqiptarët në udhëtimet jashtë vendit. Rritja ishte 14%, me një shifër në total në rreth 218 milionë lekë ndërsa është ende herët për të bërë një parashikim se cila do të jetë ecuria e këtij zëri në industrinë e turizmit.