Një komision ndërkombëtar i anti-dopingut ka rekomanduar se Federata Ruse e Atletikës duhet të pezullohet nga sporti për përhapjen e dopingut në atë vend – një lëvizje që mund të shohë fuqinë e atletikës, Rusinë të suspendohet edhe nga Lojërat Olimpike. Komisioni i krijuar nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) ka identifikuar atë që e ka quajtur dështim sistematik i Federatës Botërore të Atletikës (IAAF) dhe Rusisë për të penguar apo zvogëluar përhapjen e dopingut ndër atletë, shkruan “Koha Ditore”. Rusia është fuqi tradicionale në atletikë dhe përfundoi e dyta prapa SHBA-së në tabelën e medaljeve në Lojërat Olimpike “Londra 2012” në këtë sport, me 17 medalje, prej tyre tetë të arta.
Nëse IAAF-i vendos të pranojë rekomandimet e komisionit, atëherë Rusia do të përjashtohet nga garat e mëdha, përfshirë Lojërat Olimpike, botërorët dhe kampionatet evropiane.
IAAF-i ka thënë ndërkohë përmes një komunikate se masat ndëshkuese mund të përfshijnë pezullim të përkohshëm apo të plotë të Rusisë. Po ashtu është thënë nga komisioni se Lojërat Olimpike 2012 janë sabotuar nga mosaktiviteti kundër atletëve rusë me profil të dyshimtë të dopingut.