• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, February 24, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Afrim Krasniqi: Kjo politikë do të zgjasë deri sa të ikë elita që erdhi më 1990

by A R
17/05/2016 10:29
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Intervistë me Drejtorin e Institutit shqiptar për Studimet Politike. Si e shikon ai ideologjinë e dy partive kryesore në vend, votuesin potencial të tyre dhe elitat politike, pse Shqipëria e ka të vështirë të ndryshojë edhe pas 25 vitesh, por edhe shkaqet e mungesës së kulturës politike demokratike në vend. Për politologun zgjidhja i mbetet vetëm kohës: Ndryshimi do vijë kur të mbarojë cikli i këtyre politikanëve që erdhën më 1990, thotë ai për JavaNews.

Intervistoi Ben Andoni

Afrim Krasniqi ka një mendim të precizuar për gjendjen e politikës shqiptare sepse e shikon në një matricë tejet shkencore. Ai ka një përgjigje të qartë për JAVAnews sa i përket ngushtimit të ndarjes ideologjike por edhe përafrimit të programeve të partive kryesore në vend, që ai e shpjegon si një domosdoshmëri të kohës pasi zgjedhësit kanë të njëjtat shqetësime. Ndërsa shikon edhe një emërues të përbashkët te zgjedhësit, duke mos e pasur parasysh shtresëzimin social në Shqipëri. Duke e precizuar më shumë në rastin shqiptar ku sipas tij  “problemi themelor i abuzimit me përfaqësimin politik lidhet me konceptimin e pushtetit si burim fitimi politik e ekonomik dhe jo si shërbim, kontratë shoqërore apo mision. Pavarësisht rotacionit politik partitë tona vijojnë të përdorin të njëjtat forma të marrjes/ruajtjes së pushtetit, kanë thuajse të njëjtën klientelë mbështetëse nga pas, dhe përdorin të njëjtat metoda të ushtrimit arrogant të pushtetit. Nëse do vepronin ndryshe, duke respektuar zgjedhësit, programet, kontratat dhe vlerat morale në vend të natyrës pragmatiste të pushtetit ato në aspektin afatgjatë mund të ndihmonin shumë më tepër në cilësinë e demokracisë dhe përfaqësimit, por do të rrezikonin në aspektin afatshkurtër marrjen/mbajtjen e pushtetit”. Ka një ide gati me parametra matematikë sa i përket tranzicionit politik që do të thotë se: një vend në diktaturë ose në kushtet e Shqipërisë periudhën e demokratizimit e ka të varur me kohën potenciale që i duhet të kalojë në trazicioin, e cila duhet të jetë e njëvlershme me atë të diktaturës.

Dhe ideja është edhe më e qartë kur thotë se pa memorie nuk ka kulturë, dhe kultura politike nuk mund të importohet e gatshme, siç bëhet rëndom tek ne, pasi produkti krijohet nga elitat dhe nga raporti i qytetarëve me pushtetin dhe ekonominë. “Në Shqipëri nuk ka piramidë vlerash, ndaj modeli mbetet tradita autoritariste e kultivuar në familje, në lagje, në shtet e shoqëri, – tradita e të fortit, e atij që ka pushtetin dhe vendos për të tjerët. Në fund të fundit Zogu u largua nga pushteti falë një fuqie të huaj ushtarake, Enveri u largua nga vdekja natyrale, kurse figurat liberale nuk e kanë qeverisur këtë vend më shumë se 6 muaj”.

Në aspektin kulturor, të gjithë procesin e formimit politik të shqiptarëve e shikon si një proces drejt formimit politik, nga një fazë parademokratike ku gjendemi dhe e cila do të zgjasë të paktën, derisa të ndryshojë tërësisht elita politike me formim autoritarist që hyri në politikë në vitet 1990 me premtimin për demokraci dhe që prodhoi një formë eksperimentale dhe të devijuar të demokracisë. Po zgjidhja:

“Zgjidhja është klasike: zgjerimi i demokracisë dhe korrektimi i republikës. E thënë me fjalë të thjeshta, krijimi i kushteve që vota të sjellë ndryshim, që çdo person i pushtetshëm të jetë i pafuqishëm përpara votës së sovranit, dhe që republika të garantojë atë që ka premtuar, – barazi përpara ligjit, përgjegjësi përpara ligjit, institucionet si garanti për stabilitetin dhe demokracinë”, përfundon ai.

Mendoni  se mospasja e ideologjive të përcaktuara të krahëve që mëtojnë se përfaqësojnë, i bën të tre partitë kryesore në vend që të abuzojnë me filozofinë e drejtimit në vend?

“Jo. Ngushtimi i ndarjeve ideologjike dhe përafrimi i programeve nuk është vetëm dukuri shqiptare, është tregues i shumicës së demokracive në Evropë. Partitë po bëhen të njëjta sepse votuesit në shumicën e tyre bashkohen rreth të njëjta shqetësimeve dhe se partitë i japin më shumë rëndësi votës nga çdo votues potencial sesa votës identifikuese me programe/identitet të veçantë. Vetë elektorati ynë është gjithnjë e më i njëjtë në formim e kërkesa, pra pa shtresëzim social, pa shtresa të mesme ose të pasura për shkak të meritës apo procesit, dhe kështu, pa treguesit bazë që të mund të formësojnë ideologji të ndryshme. Në rastin shqiptar problemi themelor i abuzimit me përfaqësimin politik lidhet me konceptimin e pushtetit si burim fitimi politik e ekonomik dhe jo si shërbim, kontratë shoqërore apo mision. Pavarësisht rotacionit politik partitë tona vijojnë të përdorin të njëjtat forma të marrjes/ruajtjes së pushtetit, kanë thuajse të njëjtën klientelë mbështetëse nga pas, dhe përdorin të njëjtat metoda të ushtrimit arrogant të pushtetit. Nëse do vepronin ndryshe, duke respektuar zgjedhësit, programet, kontratat dhe vlerat morale në vend të natyrës pragmatiste të pushtetit ato në aspektin afatgjatë mund të ndihmonin shumë më tepër në cilësinë e demokracisë dhe përfaqësimit, por do të rrezikonin në aspektin afatshkurtër marrjen/mbajtjen e pushtetit. Për shkak se ato mendojnë për tani dhe jo për të nesërmen, sillen si të tilla, braktisin identitetin dhe programin si dhe e shohin marrjen e pushtetit si qëllimin kryesor e jetik të tyre”.

Mendoni se është thjesht pasojë e mungesës së kulturës historike apo e një zhvillimi anarko-politik të këtyre 25-viteve, gjendja e politikës së sotme shqiptare?

“ Janë të dy faktorët së bashku. Një vend pa memorie demokratike nuk mund të prodhojë demokraci funksionale, të paktën, pa kaluar po aq periudhë tranzicioni sa periudha pa demokraci. Së dyti, mësimi historik është kundërproduktiv, – politikanët kanë mësuar se sa më arrogant dhe dominues të jetë një politikan/një grup politik në ushtrimin e pushtetit, aq më shumë potenciale ka për kontrollin e pushtetit dhe jetëgjatësinë në pushtet. Së treti, pa memorie nuk ka kulturë, dhe kultura politike nuk mund të importohet e gatshme. Ajo krijohet kryesisht nga elitat dhe nga raporti i qytetarëve me pushtetin dhe ekonominë. Në Shqipëri nuk ka piramidë vlerash, ndaj modeli mbetet tradita autoritariste e kultivuar në familje, në lagje, në shtet e shoqëri, – tradita e të fortit, e atij që ka pushtetin dhe vendos për të tjerët. Në fund të fundit Zogu u largua nga pushteti falë një fuqie të huaj ushtarake, Enveri u largua nga vdekja natyrale, kurse figurat liberale nuk e kanë qeverisur këtë vend më shumë se 6 muaj. Shikoni liderit e sotëm, – janë të njëjtit prej 1990, figura që hynë në politikë për të bërë të kundërtën e modelit të PPSH (partisë në shtet dhe pushtetin personal të përjetshëm) dhe pas 26 vjetësh na kanë prodhuar të njëjtin model por në rrethana të tjera (pushtet personal absolut, përjashtim të kritikëve, identifikim me pushtetin/shtetin dhe konflikt politik me tone ideologjike). Demokracitë funksionale bazohen në institucione të forta dhe politikanë kalimtarë që përdorin vizionet e tyre për konsolidimin e institucioneve, tek ne kemi politikanë të fortë dhe institucione të dobëta, pra politikanë që kërkojnë që institucionet të marrin formën që ata duan, që personalizojnë pushtetin, historinë, politikën dhe mënyrën e jetesës në shoqëri”.

Pakti i vitit 2008 e ka dëmtuar edhe më shumë rrjedhën e politikës shqiptare. Çfarë mund të ishte e dobishme dhe akute në ditët tona, që partitë të rifitonin pak më shumë besim real te njerëzit?

“Zgjidhja është klasike: zgjerimi i demokracisë dhe korrektimi i republikës. E thënë me fjalë të thjeshta, krijimi i kushteve që vota të sjellë ndryshim, që çdo person i pushtetshëm të jetë i pafuqishëm përpara votës së sovranit, dhe që republika të garantojë atë që ka premtuar, – barazi përpara ligjit, përgjegjësi përpara ligjit, institucionet si garanti për stabilitetin dhe demokracinë. Ka një paradoks të madh: të gjithë pranojmë se 2008 ishte zhvillim negativ, por palët që e bënë ende nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe as nuk janë penduar. Kjo do të thotë se ato përfituan nga 2008 dhe ndjehen komode me regjimin që krijuan për ta përdorur me rotacion. Në raste të tilla shpresa se ndryshimi vjen nga lart është minimale, dhe reagimi duhet të vijë nga jashtë këtij sistemi të mbyllur dypartiak. Kjo mund të bëhet me nisma për zgjedhjen direkte të Presidentit, për jetësimin real të reformës në drejtësi që e bën të brishtë imunitetin e politikanëve përpara abuzimeve me pushtetin, forcimi i reagimit civil dhe nismat për demokraci në shkolla, në komunitet, në nivele lokale dhe më gjerë edhe në nivele qendrore. Në vende si Shqipëria, kjo kërkon edhe një investim direkt të Perëndimit për më shumë demokraci, gjë që vështirë të ndodhë, për shkak të prioriteteve të tjera paralele dhe për shkak se Shqipëria është aktor pa peshë, rol dhe vëmendje në vendimmarrjet e mëdha. Në aspektin kulturor ky është një proces drejt formimit politik, një fazë parademokratike, e cila do të zgjasë të paktën, derisa të ndryshojë tërësisht elita politike me formim autoritarist që hyri në politikë në vitet 1990 me premtimin për demokraci dhe që prodhoi një formë eksperimentale dhe të devijuar të demokracisë”.

Next Post

Fillimi i punimeve të TAP, Peleshi e Gjiknuri në Greqi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

McAllister nuk e takoi Berishën/ Sondazhi: Sinjali më i fortë i izolimit personal

McAllister nuk e takoi Berishën/ Sondazhi: Sinjali më i fortë i izolimit personal

February 23, 2026
“Molotovi, armë vdekjeprurëse! Të futet në Kodin Penal”, Erjon Braçe reagon për protestën e opozitës

SONDAZHI: 80% e qytetarëve kundër molotovëve në protestat e Sali Berishës!

February 23, 2026
SHBA-të urdhërojnë largimin e stafit nga ambasada në Bejrut mes tensioneve me Iranin

SHBA-të urdhërojnë largimin e stafit nga ambasada në Bejrut mes tensioneve me Iranin

February 23, 2026
Zef Mazi: Çfarë na tha Nënë Tereza, mua dhe Ramiz Alisë kur e pritëm në Rinas!

Zef Mazi: Çfarë na tha Nënë Tereza, mua dhe Ramiz Alisë kur e pritëm në Rinas!

February 23, 2026
“Balluku nuk ka bërë presion”/ Haxhiu: Sokol Balla nuk është i përfshirë, thirrja në SPAK, taktikë e prokurorëve…

“Balluku nuk ka bërë presion”/ Haxhiu: Sokol Balla nuk është i përfshirë, thirrja në SPAK, taktikë e prokurorëve…

February 23, 2026
Asnjë tërheqje bankare dhe zero shpenzime: GdF i sekuestron shqiptarit vilën prej 500 mijë eurosh

Asnjë tërheqje bankare dhe zero shpenzime: GdF i sekuestron shqiptarit vilën prej 500 mijë eurosh

February 23, 2026
Gjin Gjoni elozhe Berishës: Nëse ne deputetët do punonim sa ai, Rama do kishte rënë me kohë!

Gjin Gjoni elozhe Berishës: Nëse ne deputetët do punonim sa ai, Rama do kishte rënë me kohë!

February 23, 2026
Flet ambasadori Mazi: 1997-a u bë për të dobësuar Shqipërinë dhe për t’i ulur kokën Kosovës!

Flet ambasadori Mazi: 1997-a u bë për të dobësuar Shqipërinë dhe për t’i ulur kokën Kosovës!

February 23, 2026
Rreth 18 orë seancë plenare, miratohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal

‘Nuk do të ketë më arreste pa…’, analisti zbulon propozimin e ri të PS: Ligj për të vendosur standardin e Rumanisë

February 23, 2026
“Policia po vjen, mos e rruaj k**in”, gjyqtari përfshihet në përplasje me pronën

“Policia po vjen, mos e rruaj k**in”, gjyqtari përfshihet në përplasje me pronën

February 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In