Afera e CEZ-it, Sollaku: Hetimi i huaj bëhet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, duke folur për kërkesën e Ilir Metës dhe Sali Berishës për hetim nga ndërkombëtarët, ka deklauar se hetimi nga prokurorë e huaj mund të realizohet vetëm nëse do të ketë ndryshime kushtetuese që e rregullojnë këtë hetim. “Nëse ligjvënësi do të ndryshojë kuadrin ligjor për të lejuar hetimin ndërkombëtar të ndonjë çështjeje, së pari, duhet të ndryshojë Kushtetutën, e cila përcakton se ndjekja penale bëhet nga Prokuroria me prokurorë shqiptarë”, ka thënë Sollaku në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Sipas tij, kuadri aktual ligjor i Republikës së Shqipërisë u jep të drejtë hetimi vetëm përfaqësuesve të institucioneve shqiptare.
“Kuadri kushtetues i Shqipërisë për hetimet penale nuk lejon veprimet hetimore nga persona jashtë subjekteve që parashikon Kushtetuta dhe ligji procedurial penal, që do të thotë, nga prokurorët shqiptarë dhe nga oficerët e policisë gjyqësore”, u shpreh ish-Prokurori i Përgjithshëm.









