Partia gjermane e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) ka reaguar ndaj paralajmërimeve të SHBA-ve se Europa rrezikon një “shuarje civilizimi”, duke deklaruar se mbështet përpjekjet për një ringjallje nacionaliste në kontinent.
Zëdhënësi për politikën e jashtme i AfD-së, Markus Frohnmaier, tha se partia po ndërton partneritete me forcat që mbrojnë sovranitetin kombëtar, identitetin kulturor dhe politika realiste për sigurinë dhe migracionin.
Frohnmaier do të takohet këtë javë me republikanët MAGA në Uashington dhe Nju Jork dhe është ftuar si mysafir nderi në gala-n e tyre vjetore në New York. AfD ka kërkuar prej kohësh lidhje me lëvizjen e Trump, ndërsa bashkëudhëheqësi Tino Chrupalla mori pjesë në inaugurimin e tij të dytë dhe kandidatet e AfD-së kanë marrë mbështetje nga donatorë të njohur amerikanë.
Strategjia e re amerikane për sigurinë kombëtare paralajmëron se disa vende të BE-së mund të bëhen “jo-evropiane në shumicë” brenda dekadash dhe përshëndet rritjen e partive patriotike në Evropë. Partitë e djathta ekstreme, si AfD, RN në Francë dhe Vox në Spanjë, kanë ndërtuar fushatat e tyre duke kritikuar BE-në dhe migracionin e tepruar, ndonjëherë duke përsëritur teorinë e “zëvendësimit të madh”.
Megjithatë, partitë nacionaliste të tjera në Evropë kanë qëndruar më të kujdesshme, duke qenë të vetëdijshme për papopullaritetin e Trump dhe duke theksuar se prioriteti i tyre mbetet sovraniteti kombëtar. Analistët nënvizojnë sfidën për nacionalistët evropianë: MAGA është “Amerika e para”, ndërsa ata kërkojnë “Francën, Gjermaninë ose Spanjën e para”.











