• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, January 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kronikë

“Admiri i kishte thënë se do e vriste, Ida nuk divorcohej, kishte frikë nga njohjet e tij”

by Java News
08/04/2016 18:49
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nëna e Ida Dervishit, gruas që u vra nga bashkëshorti oficer i Gardës, tregon se krimi në  familje ka qenë i paralajmëruar. Të gjitha institucionet sipas saj ishin në dijeni të dhunës e  kërcënimeve të vazhdueshme dhe Garda e Republikës vazhdoi ta lejonte Admir Dervishin që  ta mbante armën me vete, edhe kur shkonte  në shtëpi pas shërbimit.

Feride Spahia duke folur për “Panorama”
Feride Spahia duke folur për “Panorama”

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Feride Spahiu tregon të gjitha momentet e dhunës ekstreme që vajza e saj Ida  përjetonte vazhdimisht nga i shoqi. Ajo shprehet se do të bëjë  vetëgjyqësi, nëse nuk bëhet drejtësi për ngjarjen.

Vajza juaj mbeti e vrarë dje (të mërkurën) nga bashkëshorti. Një ngjarje që, nisur edhe nga një urdhër i mëparshëm  mbrojtjeje, duket se ishte e paralajmëruar. Si e morët vesh  ngjarjen?  

Po, e paralajmëruar. Dhe jo një herë, por disa herë, e askush  nuk e mori mundimin ta parandalonte këtë që ndodhi, e të  shpëtonte vajzën time nga ai njeri. E kam marrë vesh nga  televizori, duke parë lajmet në mëngjes. Por unë e mora vesh  sikur ajo ishte plagosur dhe ishte jashtë rrezikut për jetën. Ishte  diçka që e prisja në fakt. Sapo kam parë këtë lajm, kam marrë  taksi dhe jam nisur për te shtëpia e vajzës që të merrja fëmijët.  Gjithnjë me shpresën se ajo ishte gjallë. Thosha vazhdimisht  me vete që ime bijë eshtë e re dhe do të shpëtojë. Do t’ia hedhë  edhe kësaj here.

ilda-dervishi
Ida Dervishi

Çfarë keni mësuar për atë që ka ndodhur?  

Ai e ka vrarë në pikë të mëngjesit, çfarë të mësoj unë?! E ka  vrarë në sy të fëmijëve. Me paramendim dhe pa iu dridhur syri.  Le të qajë tani dhe të bëjë rolin e të penduarit. Ai e ka vrarë  vajzën me gjakftohtësi, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe  herë të tjera.

E kishte kërcënuar se do ta vriste?  

Çdo natë. Sa herë ia jepte truri. Atë dhe djalin e vogël. Asaj i  thoshte: “Do të vdesësh e re, moj qyqe”. Ndërsa të birit, vetëm 5  vjeç, i thoshte: “Mami do të vdesë shumë shpejt. Ty do të të  rrisë një mami tjetër”. Çdo natë ime bijë flinte me pistoletë te  koka. Ai e ka rrahur, e ka kërcënuar, madje edhe e ka përdhunuar. Ju ndoshta nuk më besoni, por po, po ua them unë që e ka  përdhunuar. Vajza ime e gjorë m’i kishte thënë të gjitha këto,  por edhe shumë e shumë të tjera nuk m’i tha kurrë. “Po t’i them  këto, moj mami. Por ka edhe shumë të tjera më të rënda që ti  s’ke për t’i mësuar kurrë”, më thoshte vajza.

Kush ishte tjetër në dijeni të këtyre problemeve, a i kishit denoncuar në Polici?  

Kudo i kemi denoncuar. Kudo. Por çfarë drejtësie ka këtu.  Ju e keni besoj, por po ua tregoj edhe unë (nxjerr nga çanta një  urdhër mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2013).  Kur askush nuk bëri gjë as pas këtij urdhri, çfarë mund të besosh në këtë vend? Vetë gjyqtarja e kësaj çështjeje i ka thënë  vajzës sime, në sallë, kur po jepte urdhrin, që nga ky burrë duhej të divorcohej sa më parë. Sepse edhe ajo e pa se çfarë burri  ishte. Çfarë arroganti ishte ai. Nuk donte t’ia dinte as në Gjykatë.

Po vajza pse nuk divorcohej?

Kishte frikë. Sepse ai ka njohjet e tij gjithandej në shtet. Me  këto njohje ai ka për të dalë sërish nga burgu. Ja prandaj qan ai,  bën si i penduar, krijon alibira, thotë që e vrau për xhelozi. Ju  lutem, kjo fjalë është e tepërt. Vajza ime nuk kishte parë kurrë  njeri me sy. I bën të gjitha këto, që nesërpasnesër gjykata të  pranojë gjykim të shkurtuar dhe ai të dalë nga burgu. Po nuk  ka problem. Le të dalë. Atë ditë që ai do të dalë, unë do jem  duke e pritur te dera e burgut dhe do t’ia numëroj në lule të  ballit, siç bëri ai me time bijë.

Pse kishte frikë vajza, si e kërcënonte?  

Vajza e dinte që do të vdiste. Mos sot, nesër. Ajo kishte hallin e fëmijëve. Ai i kishte thënë vazhdimisht se, sa të rritej djali,  të bëhej 7 vjeç, ai do t’ia merrte. Unë i thosha herë pas here, rri  këtu me mua, mos shko në shtëpi se ai të vret. “Po njësoj është,  moj mami. Si këtu, si atje, ai do të më vrasë”, më thoshte.

Sa ka qëndruar te ju pas urdhrit të mbrojtjes?  

Ka qëndruar 8 muaj. Atëherë kishte vetëm djalin. Vajza nuk  kishte lindur akoma. Gjatë këtyre 8 muajve ai nuk ka lënë gjë pa bërë. Më merrte mua në telefon me numër të fshehtë. Vinte  natën te pallati dhe na fikte dritat. Ulte automatin te hyrja e  pallatit. U binte xhamave të dritareve, derës. Çfarë nuk bënte.  Aq sa vajza u detyrua të shkonte në shtëpi, sepse kishte frikë.  Dhe sa shkoi tek ai pastaj, përsëri e njëjta histori. E dhunonte e  përdhunonte dhe e la shtatzënë me vajzën që ka tani. Vajzën  që e la me gji dhe tani me gji e ushqen vajza tjetër.

Po kohët e fundit, para se të ndodhte vrasja, kishte ndodhur  ndonjë rast tjetër dhune?

Ndodhte gjithmonë, çdo ditë. Ai debatonte kot me të, për  një fjalë goje. Episodi i fundit, që ishte më i rëndi, ka ndodhur  para rreth një muaji e gjysmë. Ida i kishte thënë djalit të vogël,  merre pak babin në telefon dhe kërkoi kungull, se do t’i bënte  supën vajzës. Djali e ka marrë dhe i ka thënë. Kur është kthyer  në shtëpi, vajza e ka pyetur për kungullin. “Nuk më ke thënë  gjë”, i kishte bërtitur me sa kishte në kokë dhe kishte filluar  ta godiste me sa kishte fuqi. Ja për këtë ndodhnin sherret,  për të tilla arsye. Më mori djali i vogël në telefon. “Nëna,  babi e ka rrahur mamin. E ka bërë me gjak. Ia ka thyer dhëmbët”. Jam nisur menjëherë për të shkuar aty. E kishin shtëpinë  te rruga “Eqerem Çabej” atëherë. E mora në telefon Admirin. “Çfarë m’i ke bërë vajzës, se do të vij të të mbys me duart  e mia?”, i kam thënë. Rrugës kam marrë në telefon vjehrrin e  vajzës, Astrit Dervishin. Më është përgjigjur e shoqja e tij. I  thashë që djali juaj ma ka bërë vajzën për spital. “Më vjen  keq, nuk e di pse është bërë djali ynë ashtu. Ne kemi respekt  për vajzën tuaj. Ajo është shumë e mirë”, më ka thënë ajo.  Kur kam shkuar aty në shtëpi, e kam gjetur vajzën me gjak.  E kishte masakruar. Kishte dashur ta mbyste, duke i futur  thonjtë në fyt. Ndërkohë që unë shkoja aty, ai kishte marrë  në telefon një shokun e tij, që është polic, ai që ju thashë më  lart, që më tha që ishte shefi i zonës, i Komisariatit nr.6 dhe  i kishte thënë se ka ardhur vjehrra dhe po më kërcënon.  Vetëm kur vjen ai dhe hyn në shtëpi.

Punonjësi i Policisë?  

Po, po. Por unë nuk e dija se kush ishte. Më flet gjithë kompetenca. “Kush je ti? Çfarë bën këtu?”, më thotë. Qetësohu, i  thashë, unë jam nëna e kësaj gruas këtu, që ky zotëria që të ka  lajmëruar shiko se ç’mi ka bërë. Kur e pa vajzën në atë gjendje,  e kuptoi edhe ai se çfarë kishte ndodhur. Unë doja të shkoja në  Polici bashkë me Idën, por ajo nuk pranonte. Kishte frikë. Ndërsa zoti dhëndër, kishte koburen poshtë xhupit dhe e mbante  gjithë presion. Pasi e pa vajzën si ishte bërë, ky polici, merr Admirin nga dhoma tjetër dhe nuk e di çfarë flet me të. Pastaj  kthehet te ne. “Çfarë doni të bëjmë?”, më thotë mua. Ndërsa  Admirit i tha që këtë punë nuk mund ta mbyllte me kaq dhe  nuk e ndihmonte dot. Pastaj kur e pa që vajza nuk donte të  shkonte në Polici, më dha numrin e tij të telefonit dhe më tha  që ta merrja për gjithçka. Ndërsa mua më kërkoi që të rrija aty  nja dy net, të qëndroja afër vajzës. Kam qëndruar aty, e kam  gdhirë dy net, sepse kisha frikë mos m’i bënte gjë vajzës. Ndërsa po atë ditë, në sy të këtij policit, Admiri bërtiste me të madhe. “Kjo më sjell nënën në shtëpi dhe i jep lekët e mia”, i thoshte. I kam hapur portofolin. “Merre, pa e prekur unë. Brenda ke  60 mijë lekë, të kësaj prerje”, i thashë policit. Unë vetëm sa i  ndihmoja me para, nuk kisha nevojë unë t’u hiqja bukën e gojës,  edhe aq sa kishin, vajzës sime dhe fëmijëve të saj.

Pastaj u larguat, ndodhi më ndonjë ngjarje e tillë?  

Jo, ishte qetësi nja dy ditë. Më mori në telefon ky Polici dhe  më tha se ai nuk do guxonte t’i bënte gjë Idës, sepse kishte folur  ai me të. U qetësova, me thënë të drejtën. Megjithatë, unë kisha  frikë, sepse ai kishte pistoletë. Ia thashë edhe atij policit. “Ky ka  pistoletë. Mund ta vrasë, sepse e ka kërcënuar disa herë”, i  thashë. “Mos u bëj merak se nuk guxon”, më tha.

Ai kishte mbajtur gjithmonë pistoletë në shtëpi?

Gjithmonë. Nuk e di se kush duhet të mbajë përgjegjësi  për këtë. Një shef Policie, te Komisariati nr.4, ku kemi bërë  kërkesën për urdhër mbrojtjeje, më ka thënë që ai duhet ta  kishte dorëzuar armën pas lëshimit të urdhrit nga Gjykata.  Në fakt, pas atij urdhri, për të cilin Admiri ishte në dijeni,  Idën e merr në telefon një person dhe i thotë që ishte dikush  nga Garda dhe të dilte ta takonte për t’i dhënë urdhrin e  mbrojtjes. Vajza më merr në telefon dhe më thotë për këtë.  Unë i thashë që në asnjë mënyrë. Shefat e Gardës kanë zyra,  pse duhej t’i bënin takimet në rrugë. E kam marrë këtë zotërinë  në telefon, disa herë, deri sa më në fund ma hapi. “Jam nëna e  Idës. Nuk ke zyrë ti që i kërkon vajzës sime takime në rrugë”,  i thashë. Më tha t’i tregoja adresën, sepse do vinte për dy orë ta  merrte. Ia dhashë adresën e saktë, por nuk erdhi. Pas ca orësh  merr Idën në telefon, jo mua, që e kisha marrë, por vajzën dhe i thotë që nuk kishte mundësi të vinte, por të shkonte ta dërgonte urdhrin te sporteli sepse e merrte vetë. Pas kësaj kemi  takuar atë shefin e Policisë te Komisariati nr.4 dhe pasi i treguam  bisedën, ai na tha që në asnjë mënyrë nuk duhet ta dërgonim ne atje. Pasi këtë veprim e bënte vetë Policia. Po, jo, edhe pas gjithë kësaj, ai vazhdonte të mbante armë. Askush nuk ia hoqi. Panorama.al

Next Post

Balla: Referendumi zhvendos vendimarrjen nga instancat e larta te anëtari

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Berisha “tradhtohet” nga një tjetër aleat, Jenisheri i bashkohet protestës së Lapajt

Berisha “tradhtohet” nga një tjetër aleat, Jenisheri i bashkohet protestës së Lapajt

January 17, 2026
Albini mund të ndjehet i dorëzuar, por Kosova duhet të ndjehet e fituar

Përse opozitarët duhet të urojnë Edi Ramën për ftesën e Trumpit?

January 17, 2026
“U tremba mos më sulmonte dhe e qëllova unë i pari!”, flet shqiptari që vrau burrin e ish-të dashurës në Greqi

“U tremba mos më sulmonte dhe e qëllova unë i pari!”, flet shqiptari që vrau burrin e ish-të dashurës në Greqi

January 17, 2026
Censusi i shpendëve të ujit/ Specialistët nisin numërimin në Vlorë dhe Prespë, shihen specie të rralla

Censusi i shpendëve të ujit/ Specialistët nisin numërimin në Vlorë dhe Prespë, shihen specie të rralla

January 17, 2026
Hyri ilegalisht në Itali dhe qarkullonte me “Mercedes C-Class”, arrestohet sërish 42-vjeçari shqiptar

Hyri ilegalisht në Itali dhe qarkullonte me “Mercedes C-Class”, arrestohet sërish 42-vjeçari shqiptar

January 17, 2026
“Shkundet” sërish pushteti në Venezuelë, Rodriguez shkarkon aleatin kryesor të Maduro-s!

“Shkundet” sërish pushteti në Venezuelë, Rodriguez shkarkon aleatin kryesor të Maduro-s!

January 17, 2026
Rama: Faleminderit Presidenti Trump! Shqipëria ftohet si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, majë krejt e paimagjinueshme

Rama: Faleminderit Presidenti Trump! Shqipëria ftohet si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, majë krejt e paimagjinueshme

January 17, 2026
15-vjeçari nga Cërriku merr medalje ari në SHBA, i pari në botë në olimpiadën e matematikës

15-vjeçari nga Cërriku merr medalje ari në SHBA, i pari në botë në olimpiadën e matematikës

January 17, 2026
Ndryshon pr.ligji për dhunën ndaj grave/ Pas denoncimit, dhunuesi nxirret nga shtëpia dhe mban GPS

Ndryshon pr.ligji për dhunën ndaj grave/ Pas denoncimit, dhunuesi nxirret nga shtëpia dhe mban GPS

January 17, 2026
15 vite pas “21 janarit” pritet ende drejtësi/ Balla: Kuvendi të kontrollojë zbatimin e vendimeve të GJEDNJ

15 vite pas “21 janarit” pritet ende drejtësi/ Balla: Kuvendi të kontrollojë zbatimin e vendimeve të GJEDNJ

January 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In