Acarimet diplomatike mes Tiranës e Athinës po pasohen me një tjetër fenomen në pikat doganore. Kthimi në masë i qytetarëve shqiptarë në kufirin me Greqinë mori përmasa të tjera gjatë ditëve të fundit.
Janë më dhjetëra qytetarë shqiptarë, që nuk janë lejuar të kalojnë në anën tjetër të kufirit. Autoritet doganore greke jo vetëm që nuk i kanë lejuar të kalojnë, por edhe i kanë shkarravitur pasaportat e qytetarëve shqiptarë, me arsyetimin se nuk plotësojnë kushtet për të hyrë në Greqi.
Që kthimi i qytetarëve shqiptarë përsëritet si lajm sa herë që marrëdhëniet me Athinën nuk janë të mira, ky është një fakt i njohur tashmë. Por duket se këtë radhë Ambasada Greke, kjo edhe për shkak të klimës aspak miqësore të krijuar së fundmi me fqinjët, ka reaguar duke dhënë edhe arsyet e kthimeve në kufi.
Sipas saj, shqiptarët që po tentojnë të shkojnë në Greqi në këtë kohë, nuk janë udhëtarë që kalojnë kufirin në bazë të lëvizjes së lirës sipas “Shengen”, por punëkërkues që duhet të plotësojnë kushte të tjera për të shkuar në Greqi. Ambasada e lidh këtë me sezonin e mbledhjes së ullirit dhe shtimin e kërkesës për punë në vendin fqinj.
AMBASADA
“Nuk ka as edhe një ndryshim për sa u përket kushteve të kalimit në pikat e kalimit në kufijtë greko–shqiptarë, të cilat zbatojnë ato që parashikon marrëveshja ‘Shengen’ për qytetarët e të vendeve të treta, që dëshirojnë të vizitojnë zonën ‘Shengen’.
Kjo gjë iu shpjegua në mënyrë plotësisht të qartë ministrit të Brendshëm, z.Tahiri, nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë greke, gjatë takimit të tyre më 4 mëntor”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Ambasadës në Tiranë. Në njoftim nuk fshihet tensioni mes dy vendeve, kur flitet për “një fushatë dezinformimi të qytetarëve shqiptarë”.
Por Ambasada pranon edhe vonesat apo ndalimet. “Të gjitha vonesat, apo edhe ndalimet e hyrjes që vihen re këto ditë, janë të zakonshme për çdo vit, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Gjatë kësaj periudhe, kryesisht për shkak të mbledhjes së ullinjve, shtohet numri i shtetasve shqiptarë që kërkojnë punë sezonale në Greqi, pa pasur vizë të posaçme për këtë qëllim, rrjedhimisht nuk plotësojnë kërkesat që parashikon marrëveshja ‘Shengen’, të cilat autoritetet greke i respektojnë dhe i zbatojnë pa asnjë devijim. As edhe një ndryshim nuk ekziston për sa u përket shërbimeve që autoritetet konsullore greke në Shqipëri u ofrojnë qytetarëve shqiptarë.
Ato, me përpjekje mbinjerëzore, gjatë muajve të fundit ia kanë dalë që të shkurtojnë kohën e pritjes, nga 10 ditë në 3 ditë pune, që nga momenti që çdo dokument dorëzohet nga posta. Kuptohet që autoritetet greke nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për çdo vonesë të mundshme në dërgimin e korrespondencës nga ana e Postës Shqiptare”.
700 MIJË SHQIPTARË
Por marrëdhëniet mes Athinës e Tiranës, nuk janë në ditët më të mira, në mos në të kundërtën. Ambasada pa shumë diplomaci flet për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e lidh me 700 mijë emigrantët shqiptarë në Greqi.
“Shkrime të ndryshme që bëjnë fjalë për gjoja “hakmarrje greke” janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen realitetit dhe kanë si qëllim që të krijojnë armiq imagjinarë. Ndjenjat e sinqerta të miqësisë dhe të solidaritetit të Greqisë dhe të popullit grek kundrejt popullit shqiptar kanë kohështrirje të gjatë dhe nuk mund të vihen në diskutim.
Ata 700 mijë emigrantë shqiptarë, që kanë zgjedhur të jetojnë në Greqi dhe të integrohen natyrshëm në shoqërinë greke, përbëjnë një tregues të gjallë të bashkekzistencës harmonike midis dy popujve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Panorama/d.i.