Nga Ben Andoni
Ballkani nuk ka “më” se çfarë t’i japë Bashkimit Evropian. I kemi dhënë angazhimin tonë politik, kahjen e preferencave të publikut dhe mbi të gjitha frymën. Pikën më “të ulët” të mbështetjes, opinioni publik shqiptar e arriti në vitin 2011, ku rezultoi se vetëm 80.7% e shqiptarëve e mbështesnin integrimin në familjen evropiane, krahasuar me 93.4% të një viti më parë (Perspektiva Evropiane e Shqipërisë, 2011). Ky perceptim ka lëvizur fare pak në këtë dekadë, paçka se euro-skepticizmi si inerci e krizës ekonomike, në veçanti asaj të eurozonës, gati e shembi ngrehinën e besimit për BE-në pak vite më parë. Ende ne, qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas, mbetemi entuziastë dhe të flaktë ndaj anëtarësimit në BE. Kjo prirje llogaritet qysh pas viteve të cilat datojnë rënien e Murit të Berlinit, ndërsa sot, ne kontribuojmë me frymën dhe sidomos një pjesë të emigracionit, e cila nga ana e saj mban identitetin e dyzuar të vendit të origjinës dhe atij mikpritës evropian.
Anipse ka një sens pozitiv prej euro-parlamentarëve: Pak ditë më parë (19.05.22), parlamenti i BE-së në seancë plenare miratoi raportin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (MV) lidhur me progresin drejt anëtarësimit në BE. Theksi shkoi më shumë tek kontradikta mes Bullgarinë dhe MV, ku u kërkua të zgjidhet mosmarrëveshja historiko – kulturore mes tyre por pa e kushtëzuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kriteret e anëtarësimit në BE janë si pikat e Urdhëresës së Madhe, që do të thotë duhet të zbatohen apriori prej vendeve kandidate (lufta ndaj krimit, reformimi i gjyqësorit, garantimi i lirisë së mediave, çrrënjosja e korrupsionit, forcimi i shtetit të së drejtës). Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të mëdha po këto janë ende të pamjaftueshme për anëtarët e BE-së. Këtu heqim deridiku stigmën që kanë ende qarqe ndaj nesh. Për fat ka një frymë pozitive kontinentale në muajt e fundit dhe nga kjo pritet një lajm pozitiv në Qershor, e cila nuk është se do bëjë ndonjë diferencë të madhe, pasi hapi që po bën Shqipëria dhe MV është thjesht procedurial. Ose si e shprehu në parashtrimin e vet me të drejtë Isabel Santos, raportuesja e PE për Shqipërinë. “Është e drejtë që Këshilli Evropian më në fund të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë. Evropa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar i cili është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshme për pranimin. Është koha për të kaluar në negociata formale dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian”. Dhe, vërtetë Raporti i PE-së për Shqipërinë u miratua me votat pro të 519 euro-deputetëve nga 599 syresh, të pranishëm atë ditë në seancën plenare. Po a ka mundësi për shpresë dhe optimizëm? E dyshimtë. Charles Michel që do të ishte pak orë pas këtij votimi në Tiranë të mërkurën (18.05) e javës së shkuar, propozoi në Bruksel në Komitetin Social dhe Ekonomik Evropian ,“krijimin e një bashkësie gjeopolitike ku do të përfshihen vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE” që nënkupton edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Burimet zyrtare do referonin faktin e cituar te Presidenti i KE-së, Michel, se: “ekziston një bashkësi gjeopolitike, që përfshin hapësirën nga Reikjaviku deri në Baku apo Jerevan, nga Oslo deri në Ankara. Jam thellësisht i bindur se nga kjo hapësirë gjeopolitike duhet konfirmuar si një realitet politik. Dhe kjo duhet bërë menjëherë”,
Për të hequr keqkuptimet dhe sidomos shpresat burokrati i Brukselit do të sqaronte qartë se: “Kjo nismë, në asnjë mënyrë nuk shkon në drejtim të zëvendësimit të zgjerimit të BE apo të krijimit të një argumenti të ri për ngadalësim të procesit. Për ato vende që marrin pjesë në Bashkësinë Gjeopolitike Evropiane kjo nuk është garanci se një ditë do të jenë anëtare të BE-së”. Ambiguiteti i tij dhe asaj që përfaqëson do të zbulohej me një togfjalësh tjetër, përdorur në Tiranë lidhur me asociimin që bën të kuptohet se pengesat nuk do ndalen në të ardhmen pasi dukshëm janë një mal syresh, që ia bëjnë udhën e vështirë komunitetit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Nëse nuk do ishte kërkesa entuziaste e Ukrainës dhe gatishmëria për ta pritur në familje, evropianët nuk do e kujtonin të ashtuquajturën “lodhja nga zgjerimi”, nga e cila këqyret përpjekja e Ballkanit Perëndimor. Në fakt, empatia për Kievin s’është se e ka zbutur shumë perceptimin evropian, ku të dhënat e Eurobarometrit-2013, që nuk ndryshojnë aq shumë me ato të fundit, do nxirrnin një shifër të mbi 60% e evropianëve, të cilët kundërshtonin çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së. Kjo lidhej me shqetësimin e tyre për aftësinë e Bashkimit për të absorbuar vende të reja, qoftë politikisht apo kulturalisht, referuar ekspertëve, që do i shqyrtonin këto dokumentacione.
Tronditja kishte nisur pothuaj një dekadë më parë në vitin 2005, kur Kushtetuta Evropiane u hodh poshtë me referendume nga publiku francez dhe ai holandez. Angazhimi financiar i BE-së me Portugalinë dhe sidomos me Greqinë dhe kostoja për të shpëtuar ekonomitë e ashtuquajtura “të mbaruara” i bënte përfaqësuesit e BE-së të ishin skeptikë për zgjerimin e mëtejshëm, fillimisht për të qenë korrektësisht politikisht me parlamentet dhe sidomos me zonat e tyre elektorale. Nga ana tjetër, llogaritja si barrë për taksat e shtuara të qytetarëve evropianë prej varfërisë së Ballkanit Perëndimor dhe sidomos krizat e vazhdueshme, që e kaplojnë rajonin, e gjente mirëkuptimin e arsyetimit.
Në ditët tona, zvarritja e hapjes së negociatave po qëllon shumë e mundimshme për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, ku kjo e fundit parashihet se mund të ketë deri përplasje për shkak të zhgënjimeve të mëdha prej lëshimeve të shumta, që ka bërë deri te identiteti; kurse Shqipëria që duket më e qetë mund të jetë në çdo moment pjesë destabilizmi, falë dhe mëtimeve të opozitës që po kërkon momentin për protestat. Mali i Zi është i paqartë për shkak të një qeverie të re dhe brishtësisë së koalicionit por edhe kundërshtive të partive pro-serbe dhe atyre ruse; ashtu si Serbia, nga ana tjetër është duke marrë goditje të mëdha nga pushteti i presidentit Vuçiç. Nuk mund të flasim për Bosnjën që është jashtëzakonisht e rrezikuar dhe Kosovën me pengesat e pafundme që i bëhen nga të gjitha anët. Kjo e ka bërë Rusinë, që me të gjithë potencialin e saj të mundohet të luajë si duhet fijet që nga ato ekonomike deri në lidhjet e shkurtra politike, ashtu si Turqia po mundohet të këqyrë me kujdes por pa e përsëritur si dikur ideologjinë e Neo-Otomanizmit për qasje të tjera. Dhe, deri tani ka arritur të futet bindshëm në Bosnjë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Serbi, Kosovë…
Të mjafton të njohësh historinë e përpjekjes së pranimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut të kuptosh se BE-ja jo thjesht ka aplikuar standarde të ndryshme dhe jo-reale të anëtarësimit për secilin vend në shqyrtim. Në fakt, i ashtuquajturi “integrimi i diferencuar” tashmë konsiderohet si një çështje e diskutueshme në Ballkan, ku specialistët që e shikojnë pozitivisht, e llogarisin si mundësi që çdo vend të përmbushë standardet e anëtarësimit me ritmin e vet, kurse nga ana negative, kjo lloj politike është jo thjesht jokonsistente por edhe diskriminuese.
Paradoksi është se ndërsa Shqipëria dhe Kosova respektivisht me vokacione më të larta integrimi (janë mbështetëset më të zjarrta të BE-së në rajon, me respektivisht 87% dhe 75%, duke e parë anëtarësimin si një zhvillim tejet pozitiv (Balkan Barometer 2020)), u ballafaqohen edhe pengesat më të mëdha.
Duket se BE-ja nuk e përtyp dot politikën e viteve të shkuara të anëtarësimit, derisa gjuha cinike e presidentit të KE-së, Jean-Claude Junckers, e tregoi gati institucionalisht se: BE-ja nuk do të pranonte më asnjë vend gjatë mandatit të tij, pra deri në vitin 2019. Dhe, emëruesi i të gjithës është i njohur: “kostoja” e pranimit të një anëtari të ri tejkalon çdo përfitim që mund të rrjedhë nga anëtarësimi i tij. Për hir të së vërtetës, goditja më e madhe për Ballkanin Perëndimor erdhi pas pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2007, dhe ritmit të ngadaltë të ndryshimeve politike dhe ekonomike që ndodhën prej atëherë me këto vende. Kurse rasti i Polonisë dhe sidomos i Hungarisë, tregoi se evropiano-lindorët jo thjesht ishin të pabindur por edhe rrëshqitën në autokraci dhe hera-herës kaluan në sfida të hapura me Brukselin, duke na lënë faturën e hidhur të anëtarësimit… ne shteteve të mbetura të Ballkanit Perëndimor.
Për fat, është sërish Brukseli që po jep mesazhe shprese. Ekspertët mendojnë se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten jashtë BE-së për një kohë të pacaktuar, kostoja do jetë e rëndë për brukselin. E gjithë hapësira do jetë një vrimë të zezë në rritje në Evropën Juglindore, që do të thoshte se: Kjo do ndikonte edhe më tej në forcimin e regjimeve autokratike, ashtu si po ndodh në fakt në Ballkan me liderët e sotëm të Serbisë, Shqipërisë e Kosovës, kurse mungesa e shpresës do ndikonte në rënien ekonomike dhe politike, e cila do ta ndihte shumë krimin e organizuar dhe inkurajimin e emigrimit të mëtejshëm, që nuk njeh më ndalesë. Ndaj, duket se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duke pasur një pikëpamje veçanërisht pozitive për SHBA-në po mundohen të luajnë zgjuar duke dashur të zgjedhin të kultivojnë një partneritet më të dukshëm dhe prioritar transatlantik si një lloj presioni.
Në fund, nëse Brukseli do të vazhdojë kështu, do ta ulë frymën pro evropiane në dy vendet tona. Pak muaj më parë, përballja me problemin e refugjatëve si edhe emigrantëve por më së shumti i Covid-19 e ka vënë në provë të madhe projektin e Evropës së Bashkuar. Fakt, që po e ndih shumë fuqinë autokratike të qeverive të Ballkanit por sidomos stigmën ndaj BE-së, që duket se e ka harruar Ballkanin. Të paktën, mjafton të dëgjosh deklaratat ambigue të nëpunësve të Brukselit të kuptosh se rajoni tashmë tollovitet i harruar në sirtarët e BE-së. (Homo Albanicus)