Meditim vetjak për përllogaritjet që bëhen korridoreve dhe tryezave diplomatike lidhur me të ardhmen e Kosovës.
Dekalogu i një zgjidhje të qëndrueshme apo molla e sherrit?
Nga Bedri Islami
Prej disa javësh, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka hyrë, nëse mund të themi kështu, detit në këmbë, për të dhënë një zgjidhje të papritur , ndoshta edhe e dhimbshme, për të ardhmen e vendit të tij.
Që të dyja anët e medaljes qëndrojnë mbi të dhe basti i vënë është nga më të rrezikshmit; jo vetëm për vetë atë, por edhe për rrjedhimet që mund të ketë një rajon shumë më i gjerë se Kosova.
Duke qenë i vetëdijshëm se është e pamundur të ketë ndarje të Kosovës – ai nuk e ka përfshirë këtë ide në projektin që ende askush nuk e ka të qartë deri në fund ; duke e ditur mirëfilli se shkëmbimi i territorit është, po ashtu, një mision i parealizueshëm, ai gjeti një term politik, i cili nuk është përdorur deri tani – kotrigjimi i padrejtësive, i cili mund të tingëllojë si qasje nacionaliste, por që i mbuluar në mjegullën e paqartësisë dhe i nisur nga e djeshmja e Thaçit si shefi i qeverisë, periudhë në të cilën u bënë lëshime të mëdha ndaj agresivitetit politik serb, dyshimet janë më të ndjeshme.
Thaçi, sa vjen e bëhet më i kuptueshëm, por enigma mbetet. Ditët e fundit ai deklaroi se nuk do të ketë as ndarje të Kosovës, as ndryshim të kufijve, por do të kërkojë me 7 shtator që Lugina e Preshevës, e njohur m shumë si Kosova Lindore t’i bashkohet mëmësisë së saj, Kosovës.
Shumë e lehtë për t’u shtruar, shumë e pëlqyeshme për të qenë e vërtetë, shumë e vështirë për t’u besuar dhe praktikisht e pamundur, nëse pas saj nuk ka lëshime të tjera të papërballueshme për Kosovn dhe të dëshirueshme për shtetin serb.
Që nga qershori i vitit 1999, kur po tërhiqej nga Kosova, shteti serb dhe gjithë strukturat e tij, që nga Akademia Serbe dhe deri tek Kisha orthodokse e saj, duke përfshirë mes tyre edhe shërbimin e fshehtë dhe bandat e politikës, kanë menduar vetëm një gjë: kthimin në Kosovë , ose, në pamundësi të saj, rrëmbimin e sa më shumë të drejtave për serbët në Kosovë. Përvoja e serbizimit të Bosnjës ka qenë një praktikë e provuar prej tyre dhe këtë e kanë synuar edhe në Kosovë.
Deri tani, mjerisht, shumë herë pala shqiptare është thyer nga vrulli i ofensivës politike serbe; ata janë gjendur më shumë përballë njëri tjetrit se sa në krah të njëri tjetrit, si po ndodh edhe këto ditë. Kaq shumë deklarata kontradiktore ka në politikën shqiptare të Kosovës sa është e vështirë të marrësh vesh se kush është dhe me kë, cilët janë atdhetarët e cilët përfituesit.
Paraja serbe e futur në Kosovë, përmes një ingranazhi të sofistikuar, por të njohur mirë, ka bërë punën e saj dhe njerëzit që mund të vendosin, janë tulatur.
Shërbimi i fshehtë serb në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë njerëzit e tij në shumë struktura të larta të politikës dhe, për fat të keq, ata nuk do të mund të hiqen aq lehtësisht, në mos tjetër, vetë ndërtimi i tyre i favorizon ato.
Lëngimi i politikës shqiptare në Kosovë, kur ajo kishte mbështetjen më të fuqishme të perëndimit është e mundur të shpaguhet rëndë: njëri ndër boshtet ku është mbështetur kjo politikë ka filluar të lëkundet, ndryshimi i stafit drejtues në SHBA është pikëllueshëm i rëndë për deklarimet, si ato të këshilltarit për Siguri Kombëtare pranë Presidentit amerikan, John Bolton.
Megjithatë, nga burime pranë qendrave studimore të lidhura me Kosovën dhe gjithë rajonin përreth saj, mendohet se janë hedhur pikat kryesore që mund t’i parashtrohen dy presidentëve në 7 shtator apo edhe disa ditë më pas, kur gjërat të jenë më të qeta dhe kur presioni do të jetë më i lehtë se tani.
Cilat mund të jenë ato:
1- Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës dhe të bëjë modifikimet e duhura në Kushtetutën e saj.
Shënim – Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga shteti serb do të thotë pranimi de fakto dhe de jure i një realiteti të ri politik dhe do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. Enigma mbetet në atë që qëndron pas kësaj njohje, cilat janë nënurat e këtij vendimi dhe a përputhen ato me aspiratat e popullit në Kosovë?
2- Të bëhet korrigjimi i kufirit të tashëm ekzistues duke kaluar dy komuna me popullsi dërmuese serbe, Leposaviqi dhe Leshaku në shtetin serb, ndërsa komuna e Preshevës të jetë pjesë e Kosovës.
Dy komunat tjera, Bujanovci dhe Medvegja, për shkak të përqindjes së madhe të banorëve serbë, nga dëbimi i shqiptarëve, të kenë të drejta më të ndjeshme autonomiste, por nuk do të jenë pjesë e Kosovës.
Meditim: Kjo mund të sjellë një reaksion zinxhir të pandalshëm dot, jo vetëm n trevat shqiptare,por edhe rreth tyre. Nga ana tjetër, braktisja e dy komunave shqiptare, nga të cilat banorët janë shpërngulur dhunshëm, do të mund të trajtohet si braktisje e bashkatdhetarëve dhe do të kemi pas pak vitesh dy komuna të tjera të zbrazura nga vendasit autoktonë.
Besohet se për miratimin e këtij ndryshimi, që nuk do të quhet shkëmbim territoresh, Presidenti i Kosovës do i drejtohet popullit përmes një referendumi, në të cilin është i bindur se do të ketë përkrahje të ndjeshme.
3- Si shenjë e pranimit të republikës së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve me shtetin serb, në të dy anët, të bëhet një amnisti e përgjithshme për të gjithë krimet e luftës dhe, në këtë rast, të ndalojë aktivitetin e saj Gjykata Speciale.
Shënim – një amnisti e tillë do e shfajësonte shtetin serb nga gjithë krimet që ka bërë në Kosovë në mënyrë institucionale. Krimet e pashembullta në Kosovë, sidomos në periudhën e luftës çlirimtare, janë të përbindshme; ata kanë marrë jetë e mijra njerëzve në emër të shtetit të tyre; ende mijra njerëz kërkojnë të afërmit e tyre.
Nga ana tjetër, pranimi i kësaj amnistie do të ishte dënim i rëndë për vetë luftën çlirimtare, pasi akuzat e hedhura nga Dik Marty dhe Karla Del Ponte, do të mbeteshin si fakte jetike dhe do e shoqëronin Kosovën në gjithë vazhdimin e mëtejshëm të jetës së saj.
Ideja e një amnistie të përgjithshme, e cila, si mendohet, vjen nga administrata amerikane, do lehtësonte trazimin e shum liderëve të sotëm politikë, në të gjithë forcat politike, të cilët ndjekin me ankth zhvillimin e hetimeve.
Si duket, edhe deklarata e vonshme e prokurorit të rë të përgjithshëm, se ende nuk ka gjetur fakte që mund të ngrihen akuza të plota, është rrjedhë e këtij mendimi.
4- Shtetet perëndimore që deri tani kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë presion ndaj shtetit serb, duke e kushtëzuar pozitën e saj ndërkombëtare me njohjen e shtetit të Kosovës, do të ndikojnë për pranimin e shpejtë dhe pa kushte të tjera të shtetit serb në strukturat e larta të BE.
Shënim: në fakt, ky është njëri ndër synimet më të rëndësishme të shtetit serb. Pranimi i saj në BE do të kishte zhvillime negative edhe për vetë Kosovën, e cila nesër mund të ndeshet me refuzimin e saj për të përfituar në minoritetin serb që ka në Kosovë, por do të bënte të mundur që edhe shteti shqiptar të kishte refuzimin serb për pranimin e tij në BE.
5- Kosova, pas njohjes së shtetit të saj nga Serbia do të marrë disa avancime ndërkombëtare, të mirëpritura dhe të domosdoshme për vetë statusin e saj, si pranimi në OKB fillimisht, e më pas në NATO, BE dhe struktura të tjera jetike.
Në fakt, megjithëse e mirëpritur, ky do të ishte bonusi që do i jepej Parlamentit të Kosovës, i cili, i ndodhur përballë kësaj dileme: ose pranimi në OKB e më pas në NATO e BE, duke pranuar këtë marrëveshje, ose qëndrimi larg tyre, do të mund të zgjidhnin mbështetjen e këtij pakti, edhe pse shumë prej tyre nuk do të ishin dakord. Partitë në pushtet, sipas përvojës së deritashme, me ndonjë përjashtim të pakët, do të ishin pro, edhe LDK-ja do të shkonte në këtë rrugç, problemi do të mbetej Lëvizja VV, e cila, duke e ditur se kohët e vështira janë në prag, duan të shpejtojnë me zgjedhjet e reja politike, për ndryshimin e qeverisë.
6- Formimi i Zajednicës, bashkësisë së komunave me shumicë serbe, nën një asosacion të vetëm, të përbashkët, i cili do të jetë fillimisht sipas planit të paraqitur nga Marti Ahtisaari dhe i miratuar nga parlamenti i Kosovës. 10 komuna me shumicë serbe, disa nga të cilat në veriun e Kosovës, do të kenë të drejta më të shumta autonomiste, por pa e shkëputur nga ligjet dhe vendimet e Parlamentit të Kosovës.
Shënim – Megjithëse nuk do të mund të jetë e shkruar fare qartë, krijimi i këtij Asosacioni do të kalojë përmes disa fazave; ai do të ketë rritje dhe ndjeshmëri më të lartë gjithëherë kur Kosovës do i afrohen përparësi politike e diplomatike, si në rastin e pranimit në OKB dhe kështu që, jo papritmas, ky Asosacion do të mund të ketë të gjitha atributet e një republike të re serbe brenda trupit të Kosovës, por shumë më e rrezikshme dhe më agresive se ajo e Bosnjës, pasi nuk është në një territor kompakt dhe ka me vete mbështetje të fuqishme nga shteti serb, si karamele për njohjen e shtetit të Kosovës.
- Zonat me rëndësi jetike për Kosovën, si Mitrovica apo qendrat e tjera jetike, nuk do të ndahen. Ata, edhe më tej do të administrohen si tani.
Shënim – në fakt, si thotë profesor rexhep Qosja, komuna e Mitrovicës së Veriut, është që tani si një komunë autonome e përtej saj. Srbët nuk do të synojnë ta bëjnë edhe publikisht të njohur një fakt, i cili, megjithatë, njihet.
Politika e 20 viteve në Kosovë çështjen e bashkimit të Mitrovicës e ka pasur slogan politik, një çështje sa për të shkuar kohën, asnjëherë dhe nga askush nuk është bërë diçka e vyer për të bërë bashkimin e një komune, e cila ka qenë gjithnjë bashkë.
Me krijimin e Asosacionit serb në Kosovë, kjo komunë, e Mitrovicës së Veriut, edhe m tej do të jetë e shkëputur faktikisht nga Kosova dhe e afruar me Beogradin.
Do të duhej domosdoshmërisht që në diskutimin e saj, dhe jo vetëm të saj, të vendosen pikat mbi “i”, për heqjen dorë të shtetit serb dhe strukturave të saj të ndërhyrjes në punët e Kosovës dhe të mbështetjes politike dhe informative të këtyre komunave.
8- Të bëhet definimi përfundim i kufijve, demarkacioni, sipas ndarjes administrative të shtetit jugosllav, duke pasur parasysh edhe pikat e cekura në marrëveshjen e mësipërme. Lëvizjet e natyrshme do të monitorohen nga ekip ndërkombëtar dhe miratohen nga parlamentet përkatëse.
Shënim – përvoja e demarkacionit me shtetin malazez dëshmoi se lehtësisht mund të falen pjesë të territorit shqiptar në veriun e tij, ashtu si ndodh edhe në jugun e Kosovës, në ndërlidhjen me shtetin maqedonas.
Sa herë që Kosova ka synuar të definojë kufijtë, aq herë ka humbur.
9- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe struktura të fuqishme të institucioneve europiane të propozojnë pranë Komisionit të Posaçëm për Çmimin Nobel për paqe që të nominojnë presidentët Thaçi e Vuçiç për arritjen e marrëveshjes.
Shënim – Kjo, në fakt, do të ishte karamelja e fundit e një marrëveshje politike, e cila, kështu si është hedhur, shumë vetëve do i dukej si e pranueshme, por që , duke qenë baza e një diskutimi të gjatë dhe të vështirë, do të kishte pas vetes edhe pasoja të paparashikuara.
10- Mes Republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë, përmes strukturave dypalëshe dhe me praninë e institucioneve ndërkombëtare, të zgjidhen me marrëveshje dypalëshe të gjitha problemet e mbetura nga e kaluara, sidomos në fushën e energjisë, të sigurimit pensional, të lëvizjes së lirë, të tregtisë etj.
Në vend të mbylljes:
Dekalogu i menduar më sipër, i cili po diskutohet në shumë qarqe jashtë Kosovës, mund të mos i jetë i gjithi i shtruar në 7 shtator, por sinjalet janë dhënë se përmes tyre do të kalojnë shumë përplasje të fuqishme dhe, po ashtu, shumë lëshime të pasojshme.
Ndoshta vetëm ndonjëra prej tyre mund të realizohet.
Por diskutimi i shtatorit duhet të fillojë jo nga miqësia presidenciale, por nga njohja e menjëhershme e republikës së Kosovës, që gjërat të jenë të barabarta dhe të kalojnë atë cakun e padëshirueshëm të nëpërkëmbjes.
Në fund të fundit, ajo nga e cila trembem përsonalisht qëndron në thënien e vjetër se “asnjëherë krushqitë me serbët, aq më tepër, krushqitë politike, nuk kanë qenë në të mbarë të Kosovës”.