Nga Skënder Minxhozi/
Një klasifikim tamam “veror”, ky i liderit më të bukur në botë. Duket sikur janë konkurse të shpikura për popullin e plazheve, që kërkon pikërisht këtë lloj produkti.
Edi Rama dhe Bujar Nishani janë listuar përkatësisht në vendin e 22 dhe atë të 112 në klasifikimin e liderëve politikë më të bukur në botë. Për kuriozët, lista përmban 197 emra krerësh shtetesh e qeverish, ndërkohë që Edi Rama ka rezultuar “më i bukuri i Ballkanit”.
Të paktën për bukuri, mund të thuhet se ja kemi kaluar një dyzine liderësh perëndimorë – një ngushëllim i vogël ky, po të lexosh se politikani më i bukur në botë është mbreti i Butanit me emrin e palexueshëm Jigme Khesar Namgyel Wangchuck. Problemi është se përtej fytyrës mjekroshe, herë ironike e herë të ngrysur të Edi Ramës, apo përtej versionit “të rruar” të Bujar Nishanit, ne shqiptarët duam liderë politikë që të kapin jo vetëm majat e listave estetike të planetit (për Presidentin nuk duket të jetë ky rasti, duke parë vendin që ka zënë).
Në duhen shtetarë që të na sigurojnë, në këtë verë të nxehtë, që të mos ikin dritat në pjesën më të madhe të stacioneve turistike, plazheve e qendrave shlodhëse, që mungesës së dritave të mos i bashkohet edhe ajo e ujit të pijshëm. Një torturë e vjetër sa vetë shteti shqiptar, por që po sakaton sezonet turistike, por edhe jetën e përditshme të qyteteve në Jug e Veri, përfshirë Tiranën.
Do të pëlqenim të kishim liderë politikë të pashëm, por teksa i këqyrim jo pa një fije auto-ironie listat në fjalë, kujtohemi se nuk i kemi zgjedhur për të sfiluar, por për të qeverisur. Do të kërkonim nga Rama, për shembull, më shumë vendosmëri në ato që thotë kohë pas kohe me patos e nerv, sa herë që gjen një podium përpara.
Do të donim gjithashtu, që pas fytyrës së paqtë e pa mustaqe të Nishanit, të mos fshihet vetëm politikani i 112-të më i pashëm i botës, por edhe një kryetar shteti që nuk do ta djegë të gjithë mandatin, duke ju përulur atyre që e votuan në një ditë të nxhetë si kjo, nja tre vjet të shkuara. Përndryshe klasifikime si ky i liderëve më të bukur, do të kishin vlerë jo më shumë se një galeri fotosh e një këngëtareje që zhvishet, apo se selfie e rradhës e Kim Kardashian…