Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, nuk pranoi se e ka nisur këtë lëvizje brenda forcës së tij politike për shkak se synon të marrë drejtimin e saj. I pyetur në “Terminal” me Aurora Sulçen në A2 CNN, nëse synon “karrigen” e Berishës, ai u përgjigj: “Unë synoj përmirësimin e PD. Ky nuk është momenti që kushdo të shfaqë ambicie. Madje është momenti që ndonjëri edhe mund të tërhiqet nga ambiciet për të bashkuar partinë. Por nuk mund të bëjmë sikur problemet nuk ekzistojnë. Unë kam interes që PD të vijë në pushtet”.
Sali Berisha i ka quajtur takimet e Salianjit si veprimtari private, por ai tha se bën vetëm veprimtari publike. Ai kritikoi qasjen e PD për të organizuar foltore çdo të hënë përpara Kryeministrisë dhe shtoi se duhet revoltë për të rrëzuar qeverinë socialiste.
“A e rrëzojmë dot Edi Ramën duke i vajtur poshtë zyrës me muzikë? Foltorja para Kryeministrisë është forma e paduhur. Nuk rrëzohet Edi Rama me muzikë poshtë zyrës”, tha Salianji.











