Artan Fuga thotë se rritja e pagave të deputetëve me 100%, është një gjë e rëndë për disa arsye.
“Tragjike ajo që po ndodh sot në Kuvend!
Ata deputetë që kanë ende sadopak ndershmëri qytetare, që u ka mbetur sadopak kulturë politike mbi të drejtën, ata që sadopak gjejnë opozitarizëm në mendjen e tyre, pa hipokrizi, duhet të kuptojnë që të ardhurat e tyre mujore shkojnë me këtë grabitje sa 30 deri 40 herë sa të ardhurat mesatare të një shqiptari këtu në vend!
Në kanë ndërgjegje politike të distancohen nga kjo lebeti që nuk është çështje e thjeshtë mirëqënieje, nuk është thjesht çështje se me këtë kanë varfëruar dhjetra herë shqiptarin e mesëm, po po, sot ai varfërohet edhe dhjetra herë më shumë.
Por, ka shumë më tepër se kaq!
Është i gjithë sistemi politik, qeverisja, që sot mbyllin një cikël duke përfunduar procesin e degradimit dhe tjetërsimit nga një demokraci në oligarki.
Sistemi piramidal u përmbyll, njësoj si u rikonstruktua piramida te Bulevardi!
Ka ndodhur ajo që nuk ka vend në asnjë vend evropian a perëndimor.
1. Deputetët nuk janë më të barabartë para ligjit si qytetarët. Barazia ligjore përfundon sot. Ata kanë pushtetin për të bërë ligjet, kanë privilegjet, kanë edhe statusin financiar rreth 30 ose 40 herë më shumë se qytetari shqiptar.
Ata nuk janë deputetë thjesht, bëhen sundimtarë. Oligarkia nuk janë ata që ndërmarrin iniciativë të lirë, janë ata që kanë pushtet duke u distancuar në të drejta, statuse financiare, bazë ekonomike, privilegje nga qytetarët.
2. Krijohet klasa e re, pra ndarja në klasa, ku deputetë, ministra, funksionarë të lartë të administratës janë e njëjta shtresë politiko-administrative-burokratike. Ndarja e pushteteve merr fund këtu dhe përmbyll ciklin e vet.
3. Opozita integrohet përfundimisht në aparatin politiko-burokratiko-administrativ. Këtej e tutje qendrimet e saj nuk mund të shprehin më zëra qytetarë, por janë fraksione, dhe kontradikta brenda klasës sunduese, pra brenda aparatit politiko-administrativo- burokratik.
4. Kuptimi i rrotacionit politik merr fund përfundimisht sa kohë nuk ka më rëndësi se kush nga fraksionet sunduese e ka pushtetin.
Ky është realiteti nëse përmbyllet cikli i tjetërsimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, barazisë juridike qytetare, i sovranitetit popullor që nuk i ka mbetur asnjë hije sa kohë qeveriset në pushtetin qendror dhe lokal me një pakicë zgjedhësisht që nuk është as një e pesta e shqiptarëve me të drejtë vote.
A ka deputetë që kanë ende ndershmërinë ta kuptojnë se ç’po ndodh sot?”, shkruan ai.
/a.r