Nga Ylli Polovina
Brenda dy viteve të fundit e akuzojnë dy njohës të çështjes misterioze, si u kryen në Berat arrestime dhe pushkatime të udhëheqjes lokale të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Pikërisht në faqet e “Panorama”, pak ditë më parë, i nipi i dëshmorit beratas të Luftës Nacionalçlirimtare, Kristaq Capo, Jani Capo, shkroi edhe këto radhë: “Ishte mesdita e 28 qershorit 1943. Kristaq Capo dhe grupi i liderëve lokalë të Lëvizjes Antifashiste ishin duke bërë përgatitjet e fundit në bazën e tyre në dalje të Beratit, për t’u nisur në zonën e Skraparit. Mungesa e Dituri Protopapës, kryetares së ‘Gruas Antifashiste’, i bëri të prisnin paksa. Vonesa e Ramiz Alisë, që shkoi për ta lajmëruar, e bënte situatën më kritike.
Teksa bëheshin gati të merrnin pajimet dhe të dilnin jashtë, u përballën me rrethimin e trefishtë. Milicia fashiste, me sa duket, e kishte ndjekur nga afër lëvizjen e tyre. Njeriu që i kishte sjellë deri aty, pa dyshim që ishte njëri nga pjesëtarët e grupit. Jo më kot u përfol qysh në atë kohë se informatori i fshehtë kishte qenë Ramiz Alia. Rrugës duke shkuar për të lajmëruar Dituri Protopapën me biçikletën e Kristaq Capos, me sa dukej, kishte ndërruar mendje dhe bëri atë që dinte të bënte më mirë.
Kjo ishte tragjike për fatin e Kristaq Capos, Muhamet Meqemesë, Argjiro Lekës, Andrea Vrushos, Qemal Mysliut e Vizhdan Luarasit, të cilët po atë ditë përfunduan në burgun e Porto Romanos, për t’u pushkatuar katër ditë më vonë në qytetin e Tepelenës.Eliminimi i tyre pasoi me një valë të egër arrestimesh e terrori masiv në qytetin e Beratit. Jo rastësisht, në qendër të këtyre goditjeve u shënjestruan krerët e lëvizjes së qarkorit dhe një mori intelektualësh e njerëzish me autoritet në qytet e rrethina.
Të informuar saktësisht për vendstrehimet e tyre, zyrtarët e SIMI-t fashist i prangosën njëri pas tjetrit. Vetëm në pak ditë u arrestuan e pushkatuan pjesa më e madhe dhe më e shëndoshë e krerëve të Lëvizjes Antifashiste të qarkut. Dy ditë pas arrestimit të Kristaqit, gati në të njëjtat rrethana, u arrestua edhe Kristaq e Margarita Tutulani. Disa nga bashkëkohësit e lidhën dhe këtë ngjarje me emrin e Ramiz Alisë…”.
Në vijim, autori i shkrimit paraqet publikisht edhe një akuzë më të gjerë: Gjatë gjysmëshekullit me shoqëri njëpartiake të mbyllur dhe në 27 vitet e Shqipërisë së ndryshuar në një shoqëri të hapur pluraliste, dëshmorit Kristaq Capo, nga qarqe të caktuara, i janë mohuar vlerat. Në fund të shkrimit, sërish duke iu adresuar Ramiz Alisë, i nipi i dëshmorit ankohet publikisht se që “Nga momenti i arrestimit të Kristaqit dhe deri sa ndërroi jetë, Ramiz Alia nuk e kapërceu kurrë portën e shtëpisë së Kristaq Capos. Harroi gjithçka nga ditënetët që kaloi aty mes një dashurie vëllazërore.
Ne, familjarët e tjerë, jemi interesuar me dhjetëra herë pranë tij, unë personalisht i kam shkruar disa letra për arsyet e kësaj neglizhence, nëse mund ta quajmë të tillë, por nuk na është përgjigjur asnjëherë. Pa dyshim, që na ka lënduar kjo sjellje e Ramizit, por jo vetëm e tij. Më shumë se ajo, na ka lënduar indiferenca e autoriteteve në nderim të veprës së Kristaqit. Ca më tepër zhdukja dhe humbja e dokumenteve të shumta që ai dispononte, na jep arsyen të besojmë për veprime të qëllimshme, që e kapërcejnë neglizhencën e zakonshme.
Është e vërtetë që njerëz dhe rrethe të caktuara kanë qenë të interesuara për ta zbehur e mohuar sa të mundin veprën e tij, me qëllim që kjo figurë e kompletuar dhe e spikatur e lidershipit të luftës, ky protagonist i orëve të para të Lëvizjes Antifashiste, të mbetej në hije”.
SA JANË TË PUSHKATUARIT?
Para se të bëjmë një vëzhgim mbi këtë çështje, saktësojmë për lexuesin: Temën e dyshimeve se arrestimin e Kristaq Capos dhe shokëve të tij e ka pasur spiunimi i Ramiz Alisë e ka nxjerrë në pah dy vite të shkuara një nga drejtuesit kryesorë të Veteranëve të Luftës në Berat, Anastas Arbri. Në gazetën “Dita” të 5 qershorit 2016, ai ka shkruar: “Kristaq Capo u kap i tradhtuar më 28 qershor 1943, teksa ishte së bashku me disa të tjerë rrugës për të dalë prej Beratit dhe për të mbërritur diku jashtë qytetit për një mbledhje.
Ishin Muhamet Meqemeja, Andrea Vrusho, Argjiro Leka dhe dy studentë të ardhur nga Tirana, Qemal Mysliu e Vildan Luarasi. Të gjithë këta u kapën nga milicia fashiste! Shpëtoi vetëm Ramiz Alia!!! Këtë të fundit, Kristaqi e pati dërguar që të nxitonte me biçikletë për te përgjegjësja e Gruas, Dituri Protopapa, që kjo të nisej sa më shpejt për t’iu bashkuar shokëve e shoqeve që ishin në rrugë e sipër”. Shënim: Jani Capo thotë se arrestimi u krye ende pa dalë jashtë nga baza.
Anastas Arbri, kur tashmë kishin dalë. Secili është në lirinë e vet të patrazuar që të shkruajë si mendon, por kur bën akuza kaq të rënda publike, duhet patjetër t’i provojë. Nuk është çështja se i akuzuari si agjent i SIM-it, Shërbimit Informativ Ushtarak Italian, përfaqëson një nga politikanët kryesorë të regjimit realkomunist dhe po ashtu Presidentin e kalimit të butë të diktaturës në një shoqëri liberale, por edhe për arsye se mbi të gjitha kemi të bëjmë me histori lokale dhe po aq kombëtare. Ato nuk mund të keqshkruhen, janë kujtesë dhe biografi e të gjithëve.
Ndërkohë, Ramiz Alisë, nga Jani Capo, i ngarkohet përgjegjësia, pasojë e spiunimit, për të paktën tetë vrasje, kurse prej Anastas Arbrit për vetëm katër. Ky përjashton nga faji i Alisë pushkatimin e Margarita dhe Kristaq Tutulanit. Shënojmë se Jani Capo, në 2006, kur Alia ishte në jetë, botoi një libër për xhaxhanë e vet të rënë në luftën për liri. Atje, me sa dimë, nuk ka akuzë për sa shkroi në fillim të korrikut 2018, kur Ramiz Alia nuk jeton më. Në dobi të mirinformimit të lexuesit dhe në mundësim të tij, për të gjykuar në mënyrë të lirë që të dëgjojë sa më shumë variante shpjegimi, jemi të shtrënguar të pohojmë se të dy denoncuesit për akuzën e paraqitur publikisht, në dy nga të përditshmet më të lexuara shqiptare, nuk kanë paraqitur dokumente të shkruara apo dëshmi gojore.
Për rrjedhojë, gjithçka thonë ende është në gjendjen e së pavërtetës. Autori i këtyre radhëve ka qenë për disa kohë edhe mësues në dy gjimnazet e vetme që ka qyteti i Beratit: “Babë Dudë Karbunara” dhe “Kristaq Capo”. Ai, po ashtu, është i njohur me trajtimin që i është bërë jo vetëm emrit të dëshmorit, por edhe pjesëtarëve të familjes Capo, të punësuar para vitit ’90 në vende me prestigj për kohën, përfshi edhe punë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Kristaq Capo është i përfshirë në vitin 1971 në librin e parë të shumëvëllimëshit “Yje të pashuar”, ku ndodhen më të spikaturit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Saktësojmë me këtë rast se për shkak të punës për njohjen nga afër (me kërkime dokumentare që nga viti 1971) të LANÇ në Berat, si për tërë historinë e këtij qyteti, autorit të këtyre radhëve figura e Kristaq Capos i rezulton i një dinjiteti të madh njerëzor dhe intelektual, po ashtu mençurie dhe trimërie të spikatur. Në parim për kontributin e shquar dhe vetëflijimin, ai dhe shumë veprimtarë të tjerë të Luftës janë ende me mungesë të promovimin e tyre të plotë e të merituar.
ÇFARË SHKRUAN RAMIZ ALIA
Në librin e tij të kujtimeve “Jeta ime”, Toena 2010, ai thotë se në prill 1943 e ka thirrur atë e Sotir Manushin, Nako Spiro, shefi i Rinisë Komuniste të Shqipërisë, dhe i caktoi të punonin në Berat. Këto çaste, Alia ishte 18 vjeç. Sipas një adrese që ia kishin dhënë Sotirit (Tirkës), shkruan ai, të dy të deleguarit shkuan te familja e Tutulanëve, e cila ndodhej matanë lumit Osum, në lagjen Goricë.
“Shtëpia e Tutulanëve u bë si shtëpia ime,- pohon Alia,-ajo ishte ‘baza’ e përhershme, e cila më pranoi si birin e saj”. Dy ditë më pas nga mbërritja “u zhvillua mbledhja e Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste, e cila përbëhej nga 7 shokë e shoqe. Sekretar politik ishte Ajet Xhindole”. Shkruan më pas Ramiz Alia: “Berati, që në ditët e para, më la përshtypje shumë të mira.
Më mahniti qyteti i “një mbi një dritareve, por edhe më shumë banorët e tij. Gjatë qëndrimit tim në Berat jam njohur me shumë të rinj e të reja, si edhe me mjaft burra e gra beratas. Njohëm dhe punuam së bashku me organizatën rinisë me A. Xhindolen dhe K. Capon, të cilët ranë dëshmorë në luftë kundër fashizmit”. Pak rreshta më pas, Alia, pasi përshkruan vrasjen e Ajet Xhindoles (ndodhur në dhjetor 1943) bën praptazi në kohë dhe thotë: “Ndërsa Kristaq Capo, ish-mësues dhe anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë, në muajin qershor u arrestua nga policia fashiste, ndërsa dilte nga qyteti i Beratit në drejtim të zonës së lirë.
Bashkë me të ishin edhe dy shokë të rinisë që kishin ardhur nga Tirana, Vildan Luarasi, Qemal Musliu, si edhe Jani Vrusho, një anëtar i rinisë komuniste të qytetit të Beratit. Kristaq Capo dhe tre shokët e tjerë, pak ditë më vonë, u pushkatuan në Tepelenë, siç duket për të “trembur” popullsinë, meqenëse ato ditë ishte bërë atje një aksion nga partizanët e krahinës”. Të ndjekim më tej vetërrëfimin e Ramiz Alisë në librin e tij “Jeta ime”.
Ai këmbëngul: “Sa kohë qëndrova në qytetin e Beratit, praktikisht nga gjysma e muajit prill deri në fund të muajit qershor të vitit 1943, isha gjysmë ilegal. Lëvizja nëpër qytet, takoja të rinj e të reja, merrja pjesë në mbledhjet e tyre, por përherë duke respektuar normat e konspiracionit. Beratasit më njihnin me emrin Agim. Për të mos rënë në sy të policisë fashiste, detyrohesha të mos rrija gjithnjë në të njëjtën bazë”. Pasi rreshton emrat e disa lagjeve të qytetit ku ka bazuar, por pa saktësuar familjet, pohon më në fund disa emra: përveç te Tutulanët, qe fshehur “sidomos në familjen Laro, ose në Mangalem në familjen Prifti, në Kala në familjen Capo, te familja Teneqexhiu etj”.
Menjëherë pas kësaj, Ramiz Alia shënon në librin e tij se “Berati ishte një qytet i vogël dhe i përmbledhur”, prandaj edhe ishte rreziku të binte në sy. “Në ditët e fundit të muajit qershor,- shkruan ai,-autoritetet fashiste shpallën shtetrrethimin e qytetit, ndërsa policia u lëshua në të katër anët për të arrestuar kuadro drejtues të Partisë dhe të Rinisë, si edhe aktivistë të tjerë të Lëvizjes”. Vazhdon Alia: “Unë sapo kisha dalë nga baza ku isha strehuar dhe, së bashku me një shok të rinisë, po shkoja drejt qendrës së qytetit. Pa shkuar te hotel “Kolombo”, vjen një simpatizant ynë me biçikletë dhe më thotë: “Largohu shpejt se fashistët po të kërkojnë”.
U ktheva prapa dhe, pasi u ndava nga shoku, me të cilin kisha dalë dhe me anën e një lundre që bënte shërbimin për qytetarët, u hodha matanë lumit për në lagjen ‘Goricë’. Shkova në shtëpinë e Tutulanëve, ku pas pak arriti një shok tjetër, i cili pasi na njoftoi se ishin arrestuar disa të rinj, më njoftoi se policia, gjatë bastisjeve, ishte interesuar edhe për mua. Ajo donte të dinte emrin tim, nga isha dhe ku banoja”. Vijon sërish Ramiz Alia: “Ishte e qartë se edhe Kristaqi e Margarita ishin në rrezik. Ata ishin udhëheqës të njohur dhe me emër, në të gjithë qarkun e Beratit.
Biseduam ashtu, shpejt e shpejt, sesi duhet të vepronim. Ishim dakord që asnjëri nga ne nuk mund të qëndronte më gjatë në qytet, por duhet të hidheshim në zonën e lirë, në Skrapar, që ishte nën kontrollin e partizanëve. Si Kristaqi, ashtu edhe Margarita, ngulën këmbë që unë të largohesha sa më parë nga qyteti, sepse “ti nuk je vendas dhe për pasojë nuk ke të njohur ku mund të fshihesh. Ndryshe është puna jonë”. Për veten e tyre ata vendosën që për disa ditë të qëndronin në qytet, në ndonjë bazë të sigurt, ku të fshiheshin, të bindur se do të kalonte kjo furtunë policore.
Si përfundim u përqafuam dhe u ndamë me njëri-tjetrin me besimin se do të takoheshim pas disa ditësh. Por, në fakt, ajo ishte ndarja e fundit. Ne nuk u takuam më kurrë. Unë po atë ditë, e fundit e muajit qershor 1943, u largova nga Gorica dhe po atë ditë, bashkë me dy shokë të rinisë, munda të kaloj në fshat jashtë qytetit (në Bilçë) dhe të bashkohem me partizanët që gjendeshin aty afër. Ndërsa Kristaqi dhe Margarita nuk i shpëtuan dot rrezikut. Ata qëndruan në qytet dhe u strehuan në baza të sigurta, të njohura prej tyre.
Megjithatë, pas disa ditësh, Policia arriti t’i zbulojë ku fshiheshin ata dhe i arrestoi. Më 7 korrik, duke i transferuar nga Berati për gjoja në kampin e përqendrimit në Porto Romano, rrugës, në afërsi të Kavajës, pushtuesit fashistë i vranë mizorisht”. Autori i këtyre radhëve prej disa bisedave të regjistruara me të motrën e Margaritës dhe të Kristaqit, Afërditën, para vitit 2010, pra, çastit kur u botua libri “Jeta ime”, konfirmon, madje me më shumë detaje, vërtetësinë e asaj që rrëfen Alia për ikjen nga shtëpia e Tutulanëve për në Malin e Goricës së veshur nga pylli.
Ndërkohë bie në sy se Alia lë të kuptojë se kjo ngjarje e paralajmërimit të tij për t’u arrestuar dhe ikjes menjëherë nga qyteti ka ndodhur në 30 qershor, ndërsa Anastas Arbëri thotë në datën 28. Jani Capo pohon të njëjtën gjë, madje saktëson se ka qenë mesditë. Detyrimisht, këta dy, sidomos i nipi i Kristaq Capos, janë më të saktë. Ndërkaq tek “Yje të pashuar” thuhet: “U arrestua nga fashistët italianë në një ditë qershori të vitit 1943”.
Por ish-partizania Urani Kudra në një kumtesë të saj për rolin e gruas antifashiste, të mbajtur në 1973, këmbëngul: “Në 28 qershor, kur një grup shokësh me Kristaq Capon e Argjiro Lekën dolën nga Berati në drejtim të Uznovës për të shkuar në një fshat, zonë e lirë, ku do të bëhej një mbledhje e Komitetit Qarkor të Rinisë, u kapën. Ata u torturuan dhe pastaj u ekzekutuan… Ndërkohë, më 29 qershor 1943 fillon goditja e fashistëve kundër zonës së Shpiragut, për ta nënshtruar këtë krahinë dhe për të vazhduar më tej sulmin kundër krahinës së Mallakastrës, pjesa më e madhe e së cilës ishte zonë e çliruar”.
Në shënime të miat, mbajtur në 1974, thuhet mes të tjerash: “Në korrik dhe gusht 1943 armiku i dha një goditje të fortë organizatës së partisë në qark. Në periferi ka shtetrrethim, kavaleri, në qytet ka kontroll. Një pjesë arrestohen dhe pjesa tjetër e militantëve shkojnë në zonat e lira. (Veçanërisht prej 29 qershorit deri në 5-6 korrik)”. Duhet thënë se tetëmbëdhjetëvjeçari Ramiz Alia, për sa mbahet mend nga të rinjtë antifashistë të Beratit, nuk qe tip karizmatik, ishte natyrë e mëdyshtë dhe e pavendosur.
“Kur bisedonte, kujtonin ata, në shumicën e herëve nuk të shihte në sy”. Duke qenë se ai nuk ra dot “në dashuri” me beratasit, ishte e natyrshme që ata të kishin perceptimin se udhëheqja lokale e LANÇ-it, e cila duhet theksuar se ishte elitë e qytetit, u godit rëndë dhe u asgjësua saktësisht në periudhën e pranisë tremujore të tij. Me siguri për akuzën ka vepruar arsyetimi sipërfaqësor: Ishim mirë kur nuk qe ai, erdhi ai dhe na u vranë djemtë. Popull me pak shtet, ndonjëherë edhe pa fare të tillë, ne shqiptarët nuk e kuptojmë dot se nëpër popuj të tjerë, përfshi edhe italianët, ky shtet funksionon seriozisht.
SIM-i, Shërbimi Informativ Ushtarak Italian, në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe më pas, ka qenë e është një ndër inteligjencat më të mira të kontinentit. Në Berat ata kishin në veprim një mjeshtër të klasit të parë, marshall Martinin. Ky qe një oficer i lartë i këtij zbulimi profesionist, i maskuar me gradë të ulët. Martini dinte fije e për pe deri edhe të rejat apo gratë që qëndisnin yje. Qytetin dhe familjet e tij kryesore ai i njihte në majë të gishtave, sepse pati qenë me rol tjetër, “civil”, gjatë kohës së Zogut.
Ndërkohë, në gjendje kamuflimi ishte edhe vetë shefi i SIM-it për Beratin, Franccesko Rosi. Një rrjet i fuqishëm spiunazhi edhe brenda LANÇ-it lokal i mbante ata në korrent. Një vit para se të ndodhte goditja e rëndë që i dhanë rezistencës antifashiste të profilit komunist në fundqershor-fillimkorrik 1943, asaj iu bë një tjetër, e parë, reprezalje e madhe, me arrestimin e 33 të rinjve. Ata kaluan gjashtë muaj nëpër burgje, por më në fund, për mungesë provash, u liruan (mes tyre ishte edhe im atë, Shaban Polovina dhe këtë e them për të provuar se e di me detaje tërë këtë ngjarje).
Ndërkohë, në arkivin personal kam shumë biseda të regjistruara e të zbardhura në letër, të viteve 1971-1980, ku përfolja e “spiunit”, që i kallëzoi ata të 33, është një lëmsh i tërë konfuzioni dhe të foluri me hamendje. Vijon edhe sot, pas 76 vitesh nga e ndodhura. Nuk ka pushuar asnjë grimë. Por edhe tek “Yje të pashuar” për Kristaq Capon që në 1971 është shkruar se u arrestua “i kallëzuar”.
Për Margaritën dhe Kristaq Tutulanin në këtë libër shkruhet se i ndiqnin spiunët vazhdimisht, madje për Margaritën thuhet se “e ndiqnin 3 spiunë”. Vëmë në dukje se për të dy Tutulanët as tani nuk pushojnë gojët. Ku nuk i gjejnë kallëzuesit, larg dhe deri afër rrethit familjar. Në kohë, akuza për Ramiz Alinë është tepër e vonë. Ndërkaq, zotëroj të regjistruar çfarë ma ka thënë shume vite më parë Skënder Malindi, person që ishte në trupën hetimore dhe gjyqësore ndaj Franccesko Rosit, i cili nëpërmjet një njësiti të maskuar u mor në shtator 1943 në Hotel Dajti në Tiranë, ku po bëhej gati të ikte për në Itali dhe u soll në Berat.
Trupës ndëshkuese, të përbërë nga vetëm tre persona, e kryesonte Kahreman Ylli. Rosi i tregoi të gjitha lidhjet spiunore për vrasjen e Kristaqit dhe të Margaritës, po ashtu edhe të tjerëve. Ata që nxori ai nga goja nuk shpëtuan dot, si edhe vetë ai, i cili u pushkatua menjëherë pas gjyqit, buzë lumit, në Uznovë. Për sa më sipër, nuk i themi se këto garantojnë mospleksje të Ramiz Alisë, por faktet dhe rrethanat që e përjashtojnë një rol negativ të tij deri tani janë disa herë më të shumta se interpretimi “shkoi me biçikletë tek italianët, u tha ku ishin ky apo ai dhe ata erdhën e i arrestuan”.