Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump patën një bisedë telefonike, ku ky i fundit i bërtiti të parit për krizën humanitare në Rripin e Gazës. Ky ishte informacioni që qarkulloi në media mbrëmjen e së enjtes, por që këtë të premte, zyra e kryeministrit Netanyahu e hodhi poshtë si “lajm tërësisht të rremë.”
Sipas NBCNews, që citoi zyrtarë të lartë amerikanë anonimë, biseda e zjarrtë telefonike ndodhi më 28 korrik, pasi Netanyahu deklaroi në një event se, pavarësisht raporteve të shumta për urinë dhe thatësirën në Gaza, “nuk ka uri në Gaza.”
Trump pati reaguar publikisht ditën tjetër duke thënë se nuk ishte “veçanërisht i bindur” nga fjalët e Netanyahut, duke shtuar se kishte “uri reale” në Rripin e Gazës dhe: “Këtë nuk mund ta falsifikosh.”
Raporti tha se pas këtyre komenteve të Trump-it, Netanyahu kërkoi një bisedë telefonike me presidentin amerikan, dhe ata folën disa orë më vonë. Gjatë bisedës, kryeministri izraelit i tha Trump-it se raportet për urinë në Gaza ishin “të fabrikuara” nga Hamasi dhe se uria nuk ishte e përhapur në enklavë.
NBCtha se Trump e ndërpreu Netanyahun në ato momente dhe filloi të bërtiste, duke thënë se ndihmësit e tij i kishin treguar prova që fëmijët në Gaza vuanin nga uria dhe ai nuk donte ta dëgjonte këtë të mohohej si “lajm i rremë.”
Raporti përshkroi bisedën si “një bisedë direkte, kryesisht njëkahëshe mbi statusin e ndihmave humanitare,” ku Trump “bënte shumicën e bisedës,” sipas një ish-zyrtari amerikan që u informua për bisedën.
I njëjti zyrtar shtoi se Uashingtoni “jo vetëm që ndjen se situata është e rëndë, por e ndjen atë si përgjegjësi për shkak të GHF-së”, një referencë për Fondacionin Humanitar të Gazës, i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, i krijuar për të mbikëqyrur shpërndarjen e ndihmave në enklavën e shkatërruar, por i cili është përfshirë nga raporte të përditshme për të shtënat dhe vdekjet pranë vendndodhjeve të tij.
Izraeli mohon pretendimet për uri të përhapur dhe thotë se po bën përpjekje për të lejuar ndihma të mjaftueshme të futen në Gaza. Por përballë presionit të madh ndërkombëtar, qeveria së fundmi ka rritur rrjedhën e furnizimeve, pasi kishte ndaluar ndihmat për 11 javë midis marsit dhe majit.
Duke iu përgjigjur raportit të premten, The Times of Israel shkruan se zyra e Netanyahu-t e quajti atë “lajm të rremë.”
“Pretendimi se kishte një ‘debate me të bërtitura’ midis kryeministrit Netanyahu dhe presidentit Trump është lajm irrelevant dhe i rremë,” shkruan zyra e Kryeministrit në një deklaratë të shkurtër.











