Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka zbehur ndjeshëm mundësinë e ngritjes së akuzave të reja penale bazuar në dokumentet e sapo publikuara të çështjes “Epstein”.
Të dielën, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi se ekzistenca e materialeve kompromentuese, përfshirë fotografi dhe email-e shqetësuese, nuk është e mjaftueshme ligjërisht për të nisur ndjekje penale ndaj bashkëpunëtorëve të financierit të ndjerë.
“Fotografi të tmerrshme”, por jo prova penale
Pavarësisht publikimit masiv të dokumenteve që nga e premtja, qëndrimi i Departamentit mbetet i pandryshuar nga ai i verës së kaluar: nuk ka bazë ligjore për hetime të reja.
“Ka shumë korrespondencë. Ka shumë email-e. Ka shumë fotografi. Ka shumë fotografi të tmerrshme që duket se janë bërë nga z. Epstein ose njerëz përreth tij,” tha Blanche për CNN. “Por kjo nuk na lejon domosdoshmërisht të ndjekim penalisht dikë.”
Blanche theksoi se megjithëse viktimat kërkojnë drejtësi dhe shërim, prokurorët nuk mund të “krijojnë prova apo të shpikin një çështje që nuk ekziston ligjërisht”.
Çfarë përmbajnë dosjet e reja?
Departamenti i Drejtësisë, nën administratën e Presidentit Trump, nisi publikimin e mbi 3 milionë faqeve dokumente, 2,000 videove dhe 180,000 imazheve, në zbatim të “Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein”. Materialet mbulojnë dy dekada hetime.
Ndër zbulimet më të spikatura janë një tabelë e krijuar gushtin e kaluar përmblidhte telefonata në FBI nga persona që pretendonin se kishin dijeni për lidhje të Trump me Epstein. Blanche sqaroi se këto informacione u verifikuan dhe u cilësuan si “jo të besueshme”.
Korrespondenca zbulon diskutime të hapura mbi zakonin e Epstein për të paguar gra për seks, edhe pas dënimit të tij të parë. Një email i vitit 2009 nga një grua anonime e akuzon atë për shkeljen e premtimit për të mos sjellë prostituta në shtëpi.
Dokumentet rikonfirmojnë kontaktet me figura si Princi Andrew (tani Andrew Mountbatten-Windsor), Steve Bannon, Bill Gates, Elon Musk dhe ish-presidentët Clinton e Trump.
Pasojat politike dhe ndërkombëtare
Publikimi i dosjeve ka shkaktuar tronditje të menjëhershme. Në Sllovaki një zyrtar i lartë dha dorëheqjen pas zbulimit të komunikimeve me Epstein.
Në Britani kryeministri Keir Starmer ka sugjeruar që Princi Andrew duhet të bashkëpunojë me hetuesit amerikanë.
Ndërsa Kryetari i Dhomës Mike Johnson mbështeti veprimet e DOJ, kongresmeni Demokrat Ro Khanna shprehu shqetësimin se ligji nuk po zbatohet plotësisht dhe kritikoi zbulimin aksidental të emrave të viktimave të paredaktuara.
Përtej disa dokumenteve të pakta që presin miratimin e gjykatës, Blanche ishte i prerë për sa i përket punës hetimore të Departamentit.
“Ky rishikim ka mbaruar,” tha ai për ABC, duke konfirmuar se ekipi ka analizuar mbi gjashtë milionë copëra letre dhe mijëra materiale multimediale pa gjetur shkas për aktakuza të reja federale.











