Nga Arbër Hitaj
Java e sapombyllur është një nga më të rëndësishmet e më të sikletshmet që ka kaluar Partia Socialiste që nga ardhja në pushtet në vitin 2013. Në vitin e saj të 13-të në qeverisje, mazhoranca është përballë një udhëkryqi me shumë dilema: ta vendosë drejtësinë në kornizë sipas vullnetit të saj “ligjor”, apo të lejojë që ajo të jetë si funksionon aktualisht? Kjo është një dilemë që, në çdo precedencë, nuk duhet të zgjidhet nga pala që ka konflikt të pastër interesi, më e pakta!
Në asnjë rast tjetër para kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, nuk ka pasur një mungesë kaq të madhe argumentesh politike nga Kryeministri Edi Rama. Foli shumë e nuk tha asgjë. Një nakatosje me fakte e argumente që më shumë ka shtuar paqartësinë e një mbrojtjeje politike të panevojshme, ndaj kujdo që nuk përndiqet politikisht apo juridikisht!
Por kjo mbrojtje ka ndezur alarmin në Bashkimin Europian, fatmirësisht pa vendosur ende kushtëzime. Duhet aftësi e madhe në një situate me shumë dilema ndërkombëtare të marrësh vëmendjen e partnerëve!
Gjendja e re, sjell një vëmendje të shtuar nga Bashkimi Europian dhe një realitet të ri fokusi ndaj Shqipërisë. Duke i bërë të pamundura ndryshimet ligjore të deklaruara nga mazhoranca për të forcuar të drejtat e njeriut e luftuar paraburgimin e padrejtë.
Vija e kuqe është vendosur tashmë; çdo hap para, qoftë edhe i vogël, do të sillte kundërreagim të ashpër dhe kushtëzim nga Bashkimi Europian. Kryeministri Rama e ka ditur këtë kosto, e përsëri ka vijuar, e përsëri e ka të qartë se në këtë situatë nuk ka asnjë shans t’i kryejë ndryshimet ligjore për të reformuar për “mirë” drejtësinë e re.
Por një tjetër këmbanë alarmi është se, megjithë retorikën mbështetëse, në gjeste e veprime Partia Socialiste është më afër se kurrë qëndrimeve të Partisë Demokratike: se kjo drejtësi duhet ribërë e rikonceptuar. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaronte se duhet ribërë me Komisionin e Venecias; Kryeministri thotë me ekspertë të huaj. E përbashkëta është se drejtësia duhet ribërë! E në asnjë moment nuk flitet për problemin e vërtetë të drejtësisë, stoku prej rekordi Guiness i dosjeve. Asnjë nuk e përmend që jemi vendi i vetëm që drejtësinë e ke të garantuar vetëm në botën tjetër.
Pa harruar që eksperienca në politikën shqiptare ka treguar se, kur Sali Berisha dhe Edi Rama bashkohen, produkti nuk është në asnjë moment në interes publik, por tërësisht në interes politiko-personal. Mjafton të shihni ndryshimet ligjore të vitit 2008, ku u shkatërrua roli i Presidentit dhe u reduktua në minimum roli i deputetit, në dëm të demokracisë dhe interesit publik.
SPAK dhe GjKKO kanë shumë probleme në mënyrën se si operojnë. Mjafton të lexosh me detaje rastet “Erion Veliaj” dhe “Ilir Meta”, ku ka unanimitet nga juristët se shkeljet janë flagrante, pa harruar edhe episode të tjera ku drejtësia e re orientohet drejt “fitoreve të shpejta” dhe jo drejt proceseve të drejta. E megjithatë, një drejtësi cilësore është ajo që na ka munguar dhe na nevojitet më shumë se një qeveri që premton vizion në vitin e saj të 13-të të qeverisjes.
Gjasat janë që asnjëra nga të dyja të mos ndryshojë!











