Sot, në 17:00, parlamenti do të mblidhet për dekretimin e ministrave të rinj, por presidenti akoma nuk e ka dekretuar Ramën si ministër të Jashtëm.
I pyetur nëse do të dekretojë apo jo kryeministrin Edi Rama edhe në postin e ministrit të Jashtëm, ai është përgjigjur shkurt ‘Kushtetuta është e para’.
Ndërkohë, po sot, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i bëri thirrje presidentit që të shprehet para orës 17:00
“Shpresoj që Meta të ketë përgjigje brenda orës 17:00, Presidenti të bazohet në Kushtetutë. Ministrat e rinj teknikë, profesionistë të punës. PS nuk ka komplekse politike. Të gjithë kandidatët e propozuar nga KM plotësojnë kriteret. Sot, shpresoj se do marrë fund ngërçi i dekreteve. Meta nuk mund të sillet si kreu alternativ i opozitës”, tha Balla
Në ditën Botërore të Paqes, Presidenti Ilir Meta ka apeluar për dialog mes shumicës dhe opozitës për progresin e vendit.
“Sot njerëzimi po vuan globalizimin e indiferencës. Vetëm dje përkujtuam masakrën e Recakut, në zemër të Europës ndaj popullsisë në Kosovë. Këto ngjarje duhet të na bëjnë shumë vigjilentë ndaj cdo tentative që do të cënonte qetësinë dhe paqen mes njerëzve, popujve dhe kombeve dhe do të mbillte ndjenjën e urrejtjes. Ky është një mesazh aktual për botën dhe ne shqiptarët. Politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të kthehen në zotër të fatit të qytetarëve. Shumica e heshtur e njerëzve të thjeshtë meritojnë më shumë vëmendje. Një politikë e mirë do të i shërbente cdo angazhimi që të rinjtë të qëndronin në Shqipëri për të realizuar ëndrrat në vendin e tyre për t‘i shërbyer atdheut dhe familjes. Politika e mirë është mision akoma i papërmbushur, të gjithë duhet të përpiqemi. Mbështes plotësisht mesazhin për rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit jo vetëm mes qeverisë dhe opozitës, por edhe për më shumë dialog kudo, shoqëri komunitet dhe familje. Kështu do të kemi më shumë paqe” tha Meta.
Javanews/a.cupaj










