Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se prirja e votës në sondazhin e Euronews Albania dhe MRB, konfirmohet qëndrueshmëria e mbështjetjes për Partinë Socialiste, rritja e Partisë Demokratike ndërsa pikëpyetja më e madhe qëndron mbi Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“LSI është pikëpyetja më e madhe dhe që reflekton në fakt përplasjen e jashtëzakonshme që ka PS me LSI, që ndodh përditë. Ka diçka që nuk shkon. Strategjia e PS ishte që të goditet maksimalisht LSI, për dy arsye. E para që socialistët të kthehen drejt PS, me joshje, me një çik dhunë, me SPAK dhe me një çik takt. Dobësimi i pozitës së LSI brenda opozitës, i jep një efekt të dyfishtë PS në rezultat. Strategjia është shumë e qartë”, deklaroi ai.
Sipas z. Manjani rënia e votave për LSI, e cila në sondazhin e parë kishte një mbështetje prej 10.3% dhe më pas ra në 9.1% dhe për të përfunduar në sondazhin e sotëm në 7.6%, nuk është shoqëruar me rritjen e PS, por ka pasur rritje PD dhe zona gri e të pavendosurve.
“Nuk është e gjitha e sigurt që kjo rrudhje e LSI është e gjitha e PS, pasi PS mbetet e saturuar. Ka një rrëshqitje që me shumë gjasë justifikohet me rritjen e PD dhe rritje e të pavendosurve. Këtu është zona e votave ku partitë duhet të kërkojnë në qoftë se duan që të jenë të suksesshme”, përfundoi z. Manjani.
g.kosovari