Thirrjet e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim për të mbajtur jashtë listave të kandidatëve për deputetë dhe larg Parlamentit personat me rekorde kriminale, zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, reforma në drejtësi dhe protagonizmi i presidentit Ilir Meta, kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.
Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, teksa u ndal tek ligji i dekriminalizimit, zbuloi se amerikanët i dinë të korruptuarit dhe të inkriminuarit në politikën shqiptare dhe jovetëm. Sipas zotit Klosi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë informacione për të gjitha partitë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim paralajmëroi këtë të mërkurë se mund të ketë skualifikime nga listat e kandidatëve për deputetë sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, pasi jo të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë zbatuar ultimatumin për të mos lejuar të inkriminuarit që të garojnë në këto zgjedhje. Si e shihni angazhimin e ambasadores Kim për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit?
Angazhimi i ambasadës amerikane për të kërkuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit ka qenë gjithmonë. Dhe madje në vënien në funksionim të gjithë procesit të reformës në drejtësi. Kështu që nga kjo pikëpamje nuk çuditem që ambasadorja Kim bën kësisoj thirrjesh. E dëgjova edhe dje (të mërkurën) teksa ambasadorja Yuri Kim foli nga qyteti i Elbasanit dhe deklarata e saj ishte një presion i fortë për ata që kanë në dorë të verifikojnë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Ajo i dërgoi një mesazh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve që ndihmojnë atë për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit, siç janë Prokuroria e Përgjithshme, SPAK-u e madje nga të gjithë institucionet që kalojnë në filtra integritet e çdo emri që garon për deputet. Pra, sigurisht që kjo është një këshillë e fortë, pasi deklarata e ambasadores amerikane unë preferoj ta quaj këshillë dhe jo urdhërim, që në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha partive të mos ketë elemente kriminale dhe persona me rekorde kriminale. Kështu që tani u takon institucioneve ligjzbatuese dhe institucioneve përkatëse që ta marrin seriozisht këtë këshillë të amerikanëve dhe madje mendoj se duhet marrë.
-Ambasadorja amerikane gjithashtu kërkon që të ndalohet kandidimi i personave që janë shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Keni një koment?
Ata që janë shpallur “non grata”, e tha ambasadorja amerikane dhe u mundua ta shpjegonte nga Elbasani se si qëndron e vërteta me të padëshiruarit në tokën amerikane. Por ne si Shqipëri nuk kemi ndonjë ligj që thotë se: “Po qe se amerikanët të kanë shpallur “Non Grata”, atëherë je kriminel”. Kjo nuk është shkruar gjëkundi dhe ambasadorja u përtyp pak për të sqaruar këtë gjë. Por megjithatë atë që lexoj unë nga deklarata e saj, ambasadorja Kim tha se duhet pasur parasysh që ne amerikanët dhe DASH nuk i shpallim kot personat “Non Grata”, pasi këtë vendim e marrim pasi ata e kanë mbushur kupën. Pra, ka kërkuar që institucionet shqiptare të marrin në konsideratë këtë gjë dhe të jenë të kujdesshëm. Por si diplomate që është ambasadorja në fund të deklaratës u kërkoi dhe iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë persona me integritet dhe jo me rekorde kriminale. Pasi në fund të fundit ajo tha që zgjedhësit e kanë në dorë këtë gjë dhe se amerikanët japin vetëm këshilla dhe sugjerime.
-A mendoni se partitë politike kanë lidhje me krimin dhe në lista mund të kenë gjetur veten emra me rekorde kriminale apo të inkriminuarish?
-Duke qenë se ju keni qenë ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, a mendoni se amerikanët kanë informacione për politikën shqiptare?
Ka, madje ka shumë informacione! Sigurisht që ka dhe këtë e them me bindje, amerikanët dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka pasur shumë informacione për politikanët shqiptarë dhe jovetëm qysh kur unë kam drejtuar Shërbimin Informativ Kombëtar asokohe dhe jo më tani që kanë e kanë. Kur kam qenë unë në SHISH, amerikanët kanë pasur dijeni për gjithçka dhe shumë dosje. Por tashmë kanë kaluar gati 20 vjet nga ajo kohë dhe jam i sigurt që kanë shtuar edhe më tej vigjilencën. Ne jemi vend anëtar i NATO dhe jemi në një pozicion të rëndësishëm në të gjithë Gadishullin e Ballkanit, ku amerikanët kanë si kryefjalë që të gjitha vendet të jenë jashtë influencave të huaja. Kështu që interesi i amerikanëve në të gjitha aspekte e jetës në Shqipëri, duke filluar nga politika dhe sistemi i drejtësisë, deri tek biznesi, janë të interesuar dhe kanë dijeni për gjithçka ndodh këtu. Por nga ana tjetër duhet të kemi edhe parasysh faktin që amerikanët bashkëpunojnë me vende të tjera partnere që atë që se ka njëri për një gjë të caktuar e ka tjetri dhe i shkëmbejnë informacionet, sidomos për Shqipërinë. Pra nëse ata kanë verifikuar dikë dhe nuk e kanë mjaftueshëm informacionin, ia kërkojnë Italisë ose Holandës apo edhe Greqia, që në përfundim shkojnë tek amerikanët.
Mendoj se ambasadorja amerikane, Yuri Kim nuk ka dashur që t’i japë rëndësi ish-kryeministrit Sali Berisha andaj dhe e ka anashkaluar dhe shpërfillur. Dhe mendoj se ka bërë mirë. Pse do thoni ju? Sepse Saliu nuk ka asnjë status që të takojë ambasadoren, nuk është kryetar partie, është një deputet i zakonshëm. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj se të gjithë ata ambasadorë apo diplomatë nëse takojnë Berishën bëjnë gabim, para popullit shqiptar që i japin një status të veçantë, duke e takuar. Berishën mund ta takojnë ata që kanë ndonjë kujtim me të, pra të vjetër që kanë punuar Saliun dhe iu lind e drejta të rrinë nëpër darka e dreka me të, por jo, ta takojnë ambasadorët takime zyrtare. Berishën duhet ta abandonojnë dhe të mos i japin më rëndësi.
-Si e shihni kandidimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit?
Unë e thashë edhe pak ditë më parë për gazetën tuaj që Sali Berisha nuk duhet të jetë më deputet dhe aktiv në politikë, pasi nuk ka çfarë t’i japë më Shqipërisë. Por nga ana tjetër mendoj se Berisha nuk ikën nga politika për sa kohë që komandon akoma brenda Partisë Demokratike.
-Si e shihni protagonizmin e presidentit Ilir Meta, i cili flet për prerje duarsh dhe referendum në 25 prill?
Unë e kam thënë që Iliri e ka kaluar si të thuash statusin e një presidenti normal, meqenëse në një kohë që jemi në fushatë elektorale ai mesa duket e ndjen veten si një politikan aktiv edhe mbas Presidencës. Kështu që Meta me thënë të drejtën nuk është mbi palët siç duhet të jetë një President Republike, por është nën palët. Sa u takon deklaratave të kryeministrit Edi Rama se presidenti Ilir Meta ka zbritur në shesh dhe po bën fushatë nga frika e shkrirjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, dua të them se kjo mund të jetë shaka, por që shakatë janë gjysmë të vërteta. Por për sa kohë që e thotë Edi, i cili ka më shumë informacione nga ne, më mirë t’ia lëmë në dorë Ramës që të mbajë monopolin e këtij informacioni.
-Si e shihni kërcënimin apo paralajmërimin e presidentit Ilir Meta se do të japë dorëheqjen nga kreu i shtetit nëse Edi Rama fiton zgjedhjet dhe opozita i humbet ato në 25 prill?
Shiko, kjo është e drejtë e presidenti Meta që të vendosë. Por do ta shohim a e mban fjalën Iliri dhe do ta shohim pas zgjedhjeve të 25 prillit.
-A mendoni se do të kemi klimë të tensionuar politike pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, nëse Partia Socialiste merr mandatin e tretë qeverisës?
Unë kam bindjen se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do t’i fitojë Partia Socialiste. Por një gjë duhet të kemi të qartë se nëse fiton Rama mandatin e tretë, opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i kontestojë zgjedhjet. Pra, partitë kundërshtare të PS do kontestojnë rezultatin zgjedhor. Harroje dhe nuk bën vaki në Shqipëri që çfarëdo lloj mase që të marrin për zgjedhje të lira e të ndershme, të mos kontestohet rezultati. Ndërkohë nga ana tjetër mendoj se nuk mund të ketë trazira apo “20 Shkurt” të dytë siç artikulon Sali Berisha, pasi këto janë broçkulla. I ka bërë opozita protesta dhe ikën me bisht në shalë. Nuk është më populli budalla që t’iu shkojë mbrapa ca njerëzve që duan të bëhen Kryeministër e vijnë në pushtet me zor. Pasi ata që do dalin në protesta duhet të pyeten se çfarë shpresojnë nga Lulzim Basha, në një kohë që ky është provuar dhe ka që në 2005 në pushtet dhe në të gjitha detyrat që ka pasur ka lënë një përshtypje shumë të keqe. Kështu që e quaj absurde të dalësh në protestë për Saliun dhe Lulin.
-Të ndalemi pak te reforma në drejtësi. A ka ardhur koha që SPAK të zbresë tek politikanët e korruptuar?
Mendoj se po! Por për momentin që flasim SPAK është mbingarkuar me probleme të vogla. Kështu që si fillim duhet të zgjidhet problemi me ligj që SPAK të mos merret me korrupsionin në nivel minor. Më pas SPAK do të zbresë fuqishëm tek politikanët e korruptuar që populli e ka pritur prej kohësh këtë gjë. Deri tani është fillimi dhe nuk kemi të drejtë të ankohemi që SPAK nuk po bën punën dhe të godasë korrupsionin e madh, pasi është mbytur me dosje të vogla. Kështu që si t’i jepet zgjidhje këtij problemi, jam besimplotë se do shohim që SPAK do të godasë fuqishëm politikanët e korruptuar.