Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për mungesën në listat e PS të ish-ministrave Sandër Lleshaj dhe Ditmir Bushati.
Rama tha se Lleshaj nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u marrë në terren me aktivitetet e PS-së dhe se nuk ka qenë një figurë e zgjedhur nga Partia Socialistë në krye të MPB.
Duke komentuar rastin e Ditmir Bushatit, Rama tregoi hatërmbetjen e ish-ministrit. Shefi i ekzekutivit tha se që prej ditës që Bushati u hoq si drejtues i Shkodrës, ai ‘zbriti nga treni’.
“Sandër Lleshaj nuk është në listën e deputetëve sepse nuk ka patur as kohën dhe as mundësinë për të bërë më tepër për PS-në pasi ushtronte detyrën si ministër. Ai nuk ka ardhur nga radhët e Partisë Socialiste, por si një person që besoi te vizioni im.
Ndërsa Ditmir Bushati ka qenë ministër sepse e ka bërë Partia Socialiste ministër. Dhe detyra është të bësh më tepër se sa të jesh ministër i mirë. Ditmir Bushati, ditën që u ndryshua si drejtues i Shkodrës ka zbritur nga treni dhe nuk u shfaq në asnjë aktivitet. Ai ka disa mendime të tijat me të cilat unë nuk jam dakord, por kjo nuk ka asnjë problem. Ai duhet të kishte punuar ‘tokën’ si shokët e tij. Kush është lart duhet të rrijë poshtë, jo në listë, por në terren çdo ditë” – tha Edi Rama.
/JavaNews/a.r