Deputeti dhe miliarderi francez Olivier Dassault ka humbur jetën në një aksident ajror. Helikopteri me të cilin udhëtonte u përplas në Veri-Perëndim të Francës. Policia franceze bëri të ditur se edhe piloti humbi jetën, ndërsa në bord nuk kishte asnjë person tjetër.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha se “vdekja e tij është një humbje e madhe”.
“Olivier Dassault e donte Francën. Kapiten i industrisë, ligjvënës, zyrtar i zgjedhur lokal dhe komandant rezervë në forcën ajrore. Gjatë gjithë jetës së tij nuk reshti së shërbyeri ndaj vendit tonë. Vdekja e tij e papritur është një humbje e madhe”, u shpreh Macron.
Olivier Dassault 69 vjeç ishte djali i industrialistit Serge Dassault, kompania e të cilit ndërton aeroplanët luftarakë Rafale dhe zotëron gazetën franceze “Le Figaro”.
Olivier Dassault u zgjodh në Asamblenë Kombëtare, Dhoma e Ulët e Parlamentit të Francës, në vitin 2002. Ai është renditur në vendin e 361 sa i përket njerëzve më të pasur në botë me një pasuri prej 6.3 miliardë Euro, sipas Forbes.
/a.r