Inxhinierja Luljeta Bozo do të kandidojë në listat e deputetëve të Partisë Socialiste. Ajo e ka pranuar propozimin që i është bërë nga Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama, dhe këtë e ka konfirmuar për Klan News në një lidhje telefonike.
Inxhinierja Bozo ka shpjeguar se propozimi iu bë gjatë një takimi ku diskutohej për rindërtimin dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Si e pritët këtë propozim të Kryeministrit për të qenë pjesë e listës?
Luljeta Bozo: E para, propozimi më befasoi të them të drejtën se nuk jam mësuar, as kam qenë ndonjëherë, as më ka shkuar në mendje që të jem pjesëtare në këto lloj forumesh. E dyta, jam person i pavarur nuk jam anëtare e asnjë partie politike. Dhe propozimi në fakt mua më befasoi, por njëkohësisht më dha një kënaqësi në kuptimin që më vlerësoi, jo vetëm opinioni i gjerë kudo, njerëz të njohur e të panjohur aq sa kam pasur mundësi të jap kontributin tim për të lehtësuar dhimbjet edhe stresin që kaluan njerëzit nga tërmeti. Por që paskan konsideratë edhe instancat e larta, instancat që drejtojnë vendin. Kështu që duke u nisur nga dëshira e shumë njerëzve që e kanë shfaqur këtë që duan të kenë zëra të tillë që t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe propozimi që më bërë z.Rama. Unë hezitova çik në fillim të them të drejtën, por pastaj e dhashë miratimin tim.
Ju ka propozuar Kryeministri ndonjë rol të veçantë përveç pjesëmarrjes në listën e kandidatëve për deputetë? Kërkon ai diçka specifike nga ju?
Luljeta Bozo: Jo nuk kërkon ndonjë gjë specifike. Në fakt më kishin ftuar në një takim që ishte për të diskutuar për problemet e rindërtimit të vendit që filloi me dëmet e tërmetit, por që nuk mbaron me dëmet e tërmetit dhe pastaj në diskutim e sipër më erdhi dhe propozimi. Jo nuk më ka kërkuar ndonjë gjë, më kërkon vetëm që unë atë mendim që kam ashtu si e kam ta shpreh dhe t’i shërbej sa më shumë njerëzve. Kjo është e gjitha, nuk ka gjë tjetër.
Do të jeni edhe pjesë e Partisë Socialiste, apo do të jeni vetëm në listën e saj për kandidate si deputete e kësaj partie?
Luljeta Bozo: Jo, unë do të jem vetëm në listën si kandidate për deputete. Nuk jam anëtare e asnjë partie.
Do t’i qëndroni besnik këtij vendimi dhe nuk do të merrni teserën e PS?
Luljeta Bozo: Nuk ka rëndësi.
Ua kërkoi z.Rama një gjë të tillë?
Luljeta Bozo: Jo, absolutisht jo! Rëndësi ka që të punosh, të kontribuosh për vendin tënd dhe popullin tënd dhe të lësh një gjurmë mbrapa. Se je socialist, se je demokrat, nuk ka rëndësi, je shqiptar. Kaq, mbaroi puna.
/a.r