Qeveria italiane zgjati deri më 6 Prill gjendjen e emergjencës kombëtare kundër pandemisë. Në të gjitha zonat e listuara në kategorinë e kuqe, më të lartën për rrezikshmërinë e përhapjes, u vendos mbyllja e të gjitha institucioneve arsimore, ku mësimi do të zhvillohet online.
Muzetë, palestrat apo aktivitete të tjera të kohës së lirë do të qëndrojnë mbyllur edhe në zonat e verdha, me nivel më të ulët infektimesh dhe parashikohet të hapen jo para 27 Marsit. Në fuqi do të vijojë të jetë shtetrrethimi 22 me 5.
Ekspertët thonë se mutacioni britanik që përhapet më shpejt është përgjegjës për më shumë se gjysmën e infektimeve aktive, çka është bërë shkak edhe për shtimin e lehtë të infektimeve ditore.
Edhe Franca pritet të ashpërsojë masat anti-Covid, ndërsa infektimet ditore vijojnë të jenë më të lartat në Europë. 24 orëshin e fundit, edhe Gjermania shënoi një rritje të ndjeshme të shifrave të infektimeve duke kapërcyer 9 mijë raste, pas disa ditëve shifra të ulëta. Ekspertët i kanë bërë thirrje qeverisë, të bëjë kujdes me lehtësimin e masave për të shmangur një tjetër valë infektimesh./a.p