Rreth gjysma e punonjësve të kujdesit shëndetësor në shtëpitë e të moshuarve në Francë nuk duan të vaksinohen, sipas një grupi ekspertësh që drejtojnë operacionet e vaksinimit. Skepticizmi ndaj vaksinave është vënë re edhe në vende të tjera të botës, me pretendimet për shpejtësinë e prodhimit të vaksinës dhe kohën shumë të shkurtër të testimeve.
Marie-France Boudret, e cila punon në një shtëpi të moshuarish në Francë, ishte deshmitare kur një pacient humbi jetën pasi kovidi i kishte infektuar mushkëritë. Por kur asaj iu ofrua të bënte vaksinën kundër virusit, infermierja 48-vjeçare hezitoi.
“Kam disa dyshime, preferoj të pres”, tha ajo.
Rreth gjysma e punonjësve të kujdesit shëndetësor në shtëpitë e të moshuarve nuk duan të vaksinohen, sipas një grupi ekspertësh për vaksinimin në Francë, krahasuar me 20% të banorëve të azileve të pleqve që nuk janë vaksinuar.
Ekspertët thonë se mos vaksinimi i të gjithë punonjësve në shtëpitë e të moshuarve vë në rrezik jetët e banorëve të tyre, të cilët janë në rrezik të lartë nga sëmundja.
Malika Belarbi është punonjëse e kujdesit shëndetësor dhe zyrtare e sindikatës. Ajo thotë se ekziton një mosbesim i madh ndaj atyre që rekomandojnë vaksinimin, të cilët janë të njëjtët njerëz – punonjës të qeverisë franceze – që punonjësit e kujdesit shëndetësor i fajësojnë për pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës.
“Ka një humbje të plotë të besimit”, thotë Malika Belarbi.
Por çështja nuk është unike vetëm për Francën. Në Gjermani, operatori i shtëpive të pleqve BeneVit anketoi punonjësit nëntorin e kaluar dhe gjeti se vetëm 30% e tyre donin të vaksinoheshin.
Peter Burri, me ProSenectute, grupi më i madh në Zvicër që mbështet të moshuarit, tha se më shumë se gjysma e personelit mjekësor në azilet e pleqve në Zvicër janë të gatshëm të vaksinohen.
Në një shtëpi për të moshuarit në Clamart, në jug të Parisit, 66-vjeçarja Marie-Dominique Chastel nuk pranoi të merrte vaksinën, me pretendimet se sistemi i saj imunitar mund ta luftonte kovidin.
“Nuk jam e frikësuar nga vaksina. Ka të bëjë me perceptimin tim për shëndetin, dhe vizionin tim. Mendoj se trupi im mund të mbrojë në mënyrë të përsosur veten.”
Skepticizmi për sigurinë e vaksinës dhe niveli i ulët i besimit tek qeveritë ka bërë që shumë punonjës të kujdesit shëndetësor në shtëpitë për të moshuarit të mos e marrin vaksinën.
Infermierja Marie-France Boudret e cila pa nga afër pacientë të vdesin nga koronavirusi, u infektua edhe vetë dhe u shërua. Me mosbesimin tek shteti ajo përsëri është skeptike për vaksinën.
“Duhen vite për të prodhuar një vaksinë pas testeve dhe eksperimenteve të shumta për të parë efektet anësore. Por vaskinat kundër koronavirusit u prodhuan shumë shpejt”, thotë infermierja Boudret.