Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dëgjoi në një seancë që nuk zgjati më shumë se 30 minuta gjyqtarin e Përmetit Dritan Hasani, i komanduar së fundmi në Gjykatën e Korçës.
Hasani u hetua nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtarë Lulzim Hamitaj.
Hasanin ka filluar punë si gjyqtar në vitin 2013 si praktikat në Gjykatën e Tiranës dhe më pas është transferuar në Përmet dhe së fundmi është komanduar në Gjykatën e Korçës.
Gjatë relatimit Bungo vuri në dukje se nuk ishin gjetur probleme në kriterin e pasurisë, që përbëhej kryesisht nga kursime në llogarinë e pagës dhe as në atë të figurës. Komisioni tha se ishin kërkuar shpjegime për adresat e banimit për të cilat gjyqtari kishte dhënë sqarime. KPK tha se ai kishte jetuar deri së fundmi në një garsoniere me qira prej 15 mijë lekësh në muaj.
Po ashtu gjyqtari u vlerësua pozitivisht në kriterin e aftësive profesionale, megjithatë këtu u vu në dukje se ishin gjetur vonesa shqyrtimi në disa prej dosjeve, për të cilat ishin kërkuar shpjegime.
Hasani në fjalën e tij përditësoi Komisionin mbi gjendjen e pasurisë. Për vonesat ai tha se edhe pse mbarëvajtja e procesit ishte përgjegjësi e gjyqtarit, Komisioni duhej të mbante parasysh sjelljen e të gjitha palëve. Ai tha se vonesat ishin shkaktuar nga kompleksiteti i çështjeve dhe kryesisht nga kërkesat e një prej palëve në proces.