Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Sipas KQZ-së janë rreth 31.500 vota me kusht dhe rreth 2.800 vota të personave me nevoja të veçanta që do të numërohen në QNR, njofton REL. “Menjëherë pas tyre, do të fillojmë edhe me numërimin e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, njoftoi KQZ-ja.
KQZ-ja më 27 shkurt njoftoi se ka miratuar rreth 53.600 zarfe me fletëvotime që kanë ardhur me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ndërkaq janë refuzuar rreth 20.400 zarfe me fletëvotime të ardhura nga jashtë.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur mbi 1.7 milion qytetarë të Kosovës.
Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave./a.p