Askush më mirë se të rinjtë nuk mund të jenë “kundërshtarët” më të mëdhenj dhe më të nevojshëm politikë. Për pritshmëritë që kanë, për modelin dhe besimin që duhet të ngjallin në institucionet publike, të rinjtë janë aseti më i rëndësishëm i shoqërisë, kontributi i së cilëve është i pazëvendësueshëm. Në Tiranën me zhvillim të vrushëm urban, dhjetra të rinj u angazhuan në të gjitha njësitë e lagjet e kryeqytetit për të ndjekur nga terreni mënyrën se si gjejnë zbatim projektet dhe vendimet e bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
Të rinjtë të moshës 18-25 vjeç përfaqësojnë të gjitha kategoritë sociale, u trajnuan nga ekspertët për të qenë vëzhgues të punëve të bashkisë, për të parë implementimin e tyre ne terren si dhe për të qenë kritikë në rast mungese të transparencës, të mos informimit dhe mos realizimit të veprave publike apo iniciativave të ndërmarra që kanë rëndësi për jetën e qyetarëve.
Ky projekt i “Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore” me mbështetjen e Lëviz Albania ka si qëllim konsolidimin e një opozite në dyert e Këshillit Bashkiak të Tiranës me vizionin që kjo iniciativë do të shtrihet edhe në institucionet e tjera të vendit.
Një nevojë e tillë vjen pasi ka mungesë të zërave kritikë cilësorë që e shohin këtë proces në vijimësi dhe jo thjesht si një debat politik në prag të zgjedhjeve elektorale.
Në respektim të plotë të masave anti-Covid, të rinjtë kanë qenë në 5 takime në sallën ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit Bashkiak, kanë takuar Kryebashkiakun Veliaj dhe drejtues të tjerë të bashkisë, për t’iu përcjellë zërin e qytetarëve nga zonat që ata përfaqësojnë duke kërkuar zgjidhje si dhe duke nxitur transparencë për vendimet që merr bashkia për qytetin.
Të rinjtë sollën në tryezën e kryebashkiakut dhe Këshillit Bashkiak problemet dhe investimet që duhen në zonat Pezë, Ndroq, Kashar, Baldushk, Dajt, Farkë, Krrabë, Bërzhitë, Petrelë, Vaqarr, Fresku, Kodra e Diellit dhe Astiri.
Ata konsoliduan pjesëmarrjen dhe rolin e tyre përmes propozimeve konkrete të cilat u reflektuan më pas me një listë premtimesh e garancie për investime kyçe të marra në konsideratë.
Referuar shqetësimeve që u ngritën nga të rinjtë e 13 njësive periferike të Tiranës, dominojnë kërkesat për investime në infrastrukturën rrugore dhe infrastrukturën publike.
Kështu, në të gjitha njësitë, një nga kërkesat ka qenë investim i munguar në infrastrukturë rrugore. Pas kësaj, në 6 njësi nga 13 në total është kërkuar nga të rinjtë ndërtimi i çerdheve, kopshteve apo shkollave, të cilat janë në mungesë në këto zona, sidomos institucionet parashkollore.
Në 4 njësi kërkohet ngritja e qendrave social-kultutore, në dy njësi është kërkuar investimi me qendra shëndetësore.
Pjesë e kërkesave të të rinjve në tri njësi ka qenë edhe transporti publik i ngadaltë që lidh zonën e tyre me qendrën e Tiranës, ose çmimi i lartë i biletës.
Gjithashtu në tri njësi edhe problematikat e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.
Të gjitha këto kërkesa iu listuan Bashkisë së Tiranës. Në një konferencë finale online me drejtuesit e qendrës dhe grupet e interesit, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tha se një pjesë e sugjerimeve dhe kërkesave të ardhura nga të rinjtë kanë nisur të gjejnë zgjidhje, ndërsa një pjesë e rëndësishme e kërkesave janë në fazën e tenderimit dhe përfshijnë kryesisht ndërhyjet në infrastrukturën rrugore dhe atë arsimore.
Konkretisht, në zonën e unazës së re(Astir) do të ndërtohet shkollë dhe kopësht i ri dhe rikonstruksione dhe rindërtime të rrugëve dytësore.
Në zonën e Farkës do të ketë kopsht, çerdhe të re si dhe një qendër sociale multidisiplinare për të përmbushur kërkesat e banorëve të cilët kanë zgjedhur këtë lagje të Tiranës.
Në lagjen 13, u premtua për kopsht, çerdhe dhe qendër të re shëndetësore.
Zgjidhja e problemit të transportit për nxënësit e fshatrave Mihajas, Cirme, Lugë dhe Kusë që ndjekin mësimin në gjimnazin e Mulletit. Ndërsa në Ndroq ndërtimin e qendrës së fshatit Ndroq.
Kjo në fakt është opozita që u duhet qytetarëve për të zgjidhur problemet e tyre nga të rinjtë që bëhen bashkë për një të mirë publike.