Para se të dilte nga shtëpia me një çantë shpine dhe të udhëtonte për në malet në veri, ajo ka shkruar: “Unë nuk i pranoj linjat tuaja, qofshin ato jeshile apo vjollcë, unë jam një njeri i lirë i përjetshëm”.
Kështu, e vetme, kaloi të dy ngjyrat kufitare: midis Bregut Perëndimor dhe Izraelit, midis Izraelit dhe Sirisë.
Vajza arriti në mbrëmjen e 1 shkurtit në fshatin Druze të Majdal Shams në Lartësitë Golan dhe të nesërmen në mëngjes, ajo u fut fshehurazi në tokën e askujt që patrullohej nga ushtria, e cila në disa vende mbetet pa një gardh ose kamera vëzhgimi.
Nga ana tjetër, ajo u arrestua nga policia sekrete siriane, e cila e kuptoi se ata nuk kishin kapur një spiune, por gjithashtu mësuan se kishin një vlerë të mundshme shkëmbimi në duart e tyre.
Negociatat filluan me ndërmjetësimin e rusëve, mbështetësve të diktatorit, Bashar Assad në Damask, që në të njëjtën kohë, shfrytëzuan marrëdhëniet e mira me qeverinë e Benjamin Netanjahut.
Kryeministri foli me Vladimir Putinin, emisarët e tij u zhvendosën, pa zhurmë, vajza u transferua në Moskë dhe të premten ajo u kthye në shtëpi me një avion privat.
Pa shumë publicitet, sepse qeveria ka publikuar vetëm disa pjesë të marrëveshjes deri dje. Gruaja e re jeton në vendbanimin ultra-ortodoks të Modi’in Illit dhe tashmë ishte larguar nga familja e saj në përpjekje për të hyrë në Rripin e Gazës dhe Jordani.
Për të siguruar lirimin e saj, Izraeli ra dakord të zbuste dënimin për një të akuzuar për nxitje të dhunës dhe liroi dy barinj sirianë, të cilët gjithashtu përfunduan në anën tjetër të vijës së armëpushimit në mes të atyre livadheve, ku kufijtë duken vetëm si kullota.
Burimet mbi detajet më të hollësishme të marrëveshjes, u shfaqën jashtë vendit dhe në atë pikë, censura ushtarake izraelite, lejoi mediat lokale të botonin pjesët e fshehta.
Netanjahu ka lejuar të paguajë “miliona dollarë” – sipas të përditshmes ‘Yedioth Ahronoth’ – për qindra mijëra doza të vaksinës ‘Sputnik’, të prodhuara nga rusët, për t’ia kaluar Asadit.
Hipotezë e mohuar për momentin vetëm nga ‘Sana’, agjencia propagandistike e regjimit: ajo argumentoi se do të ishte një përpjekje për ta paraqitur Izraelin “si bujar”.
Kryeministri është në fushatë elektorale – votohet përsëri në 23 mars – dhe do të preferonte që lajmet të mos dilnin, edhe pse përsërit: ishte Moska ajo që kërkoi të mos e zbulonte atë.
Ai ka frikë mos sulmohet nga partitë e djathta, që e akuzojnë për shitjen dhe blerjen e vaksinave për t’ia dhënë armikut.
Ai përpiqet të shmangë sulmet paraprakisht dhe thotë: “Asnjë flakon nga furnizimet tona, nuk është transferuar në Siri”.
Vendi është ndër të parët në garën globale për imunizim dhe mbi 4.2 milionë njerëz (nga 9.3) kanë marrë të paktën dozën e parë.
“Haaretz”, gazeta e majtë, i pranon Netanjahut, se përvoja e madhe diplomatike dhe marrëdhëniet personale me udhëheqësit ndërkombëtarë (në këtë rast Putini), kanë çuar te ky sukses humanitar.
Në të njëjtën kohë, editorialisti Amos Harel, thekson: “Në vitet e fundit, ai nuk ka qenë në gjendje të marrë nga Hamasi lirimin e dy të burgosurve civilë në Gaza dhe kthimin e eshtrave të dy ushtarëve të vrarë gjatë luftës së verës në vitin 2014. Është e pashmangshme, që për çështjen e vaksinave të hyjë në negociata me Hamasin dhe ka të ngjarë të përfshijë edhe Autoritetin Palestinez. Deri më tani, disa mijëra doza janë shpërndarë në Gaza ose në Bregun Perëndimor dhe nuk kanë mbërritur kurrë nga stoqet izraelite”.
Qeveria Netanjahu, tani ka rënë dakord të injektojë 100,000 palestinezë që vijnë për të punuar në Izrael. Mjekët dhe shkencëtarët në Ministrinë e Shëndetësisë, po bëjnë presion për të kapërcyer ngërçin politiko-diplomatik dhe të propozojnë të koordinojnë operacionet e imunizimit.
“Ne jetojmë në një hapësirë të përbashkët, përhapja e Covid-19 midis arabëve, rrezikon uljen e efektivitetit të fushatës sonë të vaksinimit”.
Burimi dhe foto: “Corriere della Sera”
/a.r