Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se nga të dhënat e deritanishme nuk ka pasur persona që kanë pasur shqetësime në lidhje me kryerjen vaksinën. Kreu i qeverisë foli nga eksperienca e tij, duke thënë se antitrupat i janë zhvilluar në mënyrë mbresëlënëse.
“Nga të gjitha të dhënat e deritanishme nuk kemi pasur asnjë rast të asnjë lloj shqetësimi për personat e vaksinuar dhe nga eksperienca ime personale antitrupat zhvillohen në mënyrë shumë mbresëlënëse si rezultat i vaksinimit”.
Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë se brenda muajit Mars pritet të bëhet lëvrimi i 40 mijë dozave nga Pfizer. Ai u shpreh se po punohet për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një vend mik për të marrë doza vaksine nga AstraZeneca. Po ashtu Rama u shpreh se vaksinimi i popullatës për 14 muaj është i realizueshëm.
“Brenda muajit Mars do të bëhet lëvrimi i 40 mijë e ca doza. Vazhdojmë përpjekjet për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi 300 mijë dozash me AstraZeneca.
Po ashtu jemi në komunikim intensiv me dy shtete të tjera që të shtojmë sasinë e vaksinave në mënyrë që të mos kemi asnjë moment ndalim apo rënie të tempit. Përkundrazi të rrisim tempin progresivisht me objektivin e shpallur që të vaksinojmë popullatën brenda 14 muajve.
Ky objektiv është ambicioz në kushtet ku ne ndodhemi. Kam besim që më shpejt se vonë do të kemi lajme shumë të mirë. Deri tani situata është kjo. Vazhdojmë furnizimet me Pfizer.
Vazhdojmë vaksinimin tashmë të shtrirë në të gjithë territorin të bluzave të bardha. Po vaksinojmë të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve dhe po vazhdojmë me kategorinë +80 vjeç. 70% e Prodhimit të Përgjithshëm të Vaksinave janë në duart e 10 shteteve”, tha Rama.