Zvicra mund të heqë dorë nga vaksina e porositur e AstraZeneca, por ndërprerja e kontratës me atë kompani britaniko-suedeze nuk është një opsion për momentin, megjithëse mund të konsiderohet gjithashtu, shkruan sot gazeta “NZZ am Sontag”.
Zvicra kërkoi më shumë të dhëna mbi efikasitetin dhe cilësinë në fillim të këtij muaji përpara se të aprovonte vaksinën, të cilës iu dha drita jeshile nga Bashkimi Evropian, citon Reuters.
Duke cituar Zyrën Federale të Shëndetit Publik (BAG), gazeta shkruan se autoritetet lokale po spekulojnë se qeveria dëshiron të anulojë porosinë, gjë që mund të ndodhë nëse analiza tregon se vaksina nuk është mjaft e efektshme.
“Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me AstraZeneca, por ndërprerja e kontratës nuk është një opsion për momentin, megjithëse mund të rishikohet nëse rezulton e nevojshme”, tha Bora Kronig, zëvendësdrejtori i BAG-ut.
Zvicra, e cila ka porositur 5.3 milionë doza të vaksinës AstraZeneca, po pret rezultatet e provave në Amerikën e Veriut dhe Jugut. Franca, Belgjika dhe Gjermania e rekomandojnë këtë vaksinë për njerëzit nën moshën 65-vjeçare.
g.kosovari