Dita të hidhet në erë dhe nga një pyetje. Jo vetëm kaq, por po nuk u përgjigje siç duhet, mund të futesh në siklete ekstra që mbyllen me arrestim. Kjo i ndodhi një çifti të rinjsh në Tiranë.
Sipas Komisariatit të Policisë numër 1 bëhet me dije për, se një patrullë policie kishte ndaluar për shkak të trafikut në afërsi të vendit Dega e Thesarit. Të ngecur në trafik policët thonë se dëgjuan një zë vajze që e shqetësuar i tha dikujt “ua policia, jemi pa maskë do na gjobisin”.
Policët tregojnë se kthyen kokën dhe panë nga çifti, por njëkohësisht dëgjuan partnerin e saj që po e qetësoi me fjalët “policia .. kush e rr… për ta”.
Për çka ndodhi më pas sipas burimeve referohet në dëshmi të policëve D. L dhe E. F, të cilët theksojnë se pasi panë çiftin pa maskë anti-covid zbritën nga mjeti dhe u kërkuan dokumentet për ti identifikuar e për të marrë masë administrative. “I kërkuam djalit dokumentin, por hasëm në rezistencë dhe mosbindje nga ky shtetas. Nuk pranoi të na japë dokument. Për të bërë të mundur identifikimin e këtyre personave ju kërkuam të vijnë në komisariat”, shprehet polici E. F.
Burimet shtojnë se në këtë kohë djali refuzoi të hipte në makinë. “Ky person edhe kur e hipëm në makinë kundërshtoi, tha do ju.. motrat, kurse vajza përfitoi nga situata dhe u largua në heshtje”, kujton polici tjetër. “Pas mbërritjes në komisariat, personin e ulëm në karrige me qëllim identifikimin e tij dhe në këtë moment ai kafshoi në dorë efektivin D. L dhe i hoqi maskën anticovid nga fytyra”, dëshmon një polic i tretë që qëllon si dëshmitar okular brenda ambienteve të komisariatit. Ky polic bëhet me dije se ka kafshim në dorën e majtë dhe mavijosje në fytyrë.
Pas verifikime konstatohet se i riu me inicialet B. L është i moshës 30 vjeç dhe është nga Korça.
Përpara arrestimit ai u justifikua “kisha pirë alkool, është e vërtetë që nuk kisha maskë anticovid. Por policët nuk më dëgjuan mirë, unë po bëja debat me shoqen time dhe po shaheshim me njëri-tjetrin. Nuk jam person që shaj nga policia”, deklaron i riu.
Por të kundërtën tregon këqyrja në sistemin TIMS ku shkruhet se B. L ka qenë dhe më herët i proceduar për kundërshtim të policisë, njëlloj si edhe konflikti më i fundit që e dërgoi sërish në pranga.(SI)