Numri i vdekjeve në Shqipëri ka arritur në nivelin më të lartë të dekadës së fundit, që prej nga datojnë edhe statistikat e sakta të matjes së popullatës që publikon Instituti i Statistikave.
Sipas INSTAT, gjatë vitit që lamë pas, kanë humbur jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25.8% krahasuar me një vit më parë dhe 21% më e lartë se mesatarja historike e vdekshmërisë në 10 vitet e fundit.
Numri më i lartë dhe një rekord i ri i vendosur në humbjen e jetës nga qytetarët shqiptarë, është në tre muajt e fundit 2020, ku 9.397 persona kanë vdekur në muajt Tetor, Nëntor dhe Dhjetor, duke shënuar një rritje me 73.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qarqet më të prekura në këtë tremujor, me një rritje mbi 100% krahasuar me 2019-n janë Fieri dhe Elbasani, të pasuar nga Berati dhe Tirana me një shtim përkatësisht me 90 dhe 81%.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, si pasojë e Covid-19 gjatë vitit të shkuar humbën jetën 1181 persona, ndërsa Tirana, Fieri, Shkodra dhe Elbasani kishin numrin më të lartë të të infektuarve me Covid në raport me popullsinë.
Sipas të dhënave të EUROSTAT përqindja e vdekshmërisë në 27 shtetet anëtare u rrit me 25% në periudhën Mars dhe Prill dhe pasi ra në 7%, u rrit me 40% në fund të vitit./a.p