Ish-futbollisti i Partizanit, Theofilio Solomon është në telashe. Lojtari 25-vjeçar është arrestuar pak ditë më parë nga Policia e Tiranës, pas kallëzimit të bërë nga e dashura e tij, teksa së fundmi mësohet se i është caktuar masë ‘arrest me burg’.
Sipas “Panorama sport”,zbulohet se mes çiftit ka pasur një debat të ashpër, në mes të lagjes, ku Solomon dhe e dashura e tij banonin, teksa të pranishëm kanë qenë edhe disa kalimtarë, që e kanë parë plotësisht skenën e ndodhur.
Burime pranë policisë, bëjnë me dije se ai u denoncua më datë 17 shkurt nga e dashura e tij e identifikuar me inicialet E.P., për dhunë në familje.
Futbollisti ka depozituar një kërkesë në Apel, ku kërkon ndryshimin e masës së sigurisë.
Kujtojmë që Solomon u largua nga Partizani në merkaton e janarit, duke firmosur me skuadrën e Qadsias në Kuvajt.
Për shkak të problemeve, sulmuesi nuk është bashkuar ende me ekipin e ri dhe ndodhet në Shqipëri.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Th. S., 25 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij”, – thuhet në njoftimin e policisë.
/a.r