Nëse e keni kaluar një herë infektimin me Covid-19, mundësia që të infektoheni sërish është shumë e ulët për të paktën 7 muajt e ardhshëm.
Ky përfundim paraprak është arritur nga një studim i publikuar në mediat kryesore në Austri, i kryer nga ekspertët e Universitetit Mjekësor të Gracit, në bashkëpunim me Agjencinë e Shëndetit dhe Sigurinë Ushqimore në këtë vend dhe Universitetin e Stanfordit në Kaliforni.
Studimi konstaton se anti-trupat e krijuara nga kalimi i infeksionit të parë me Covid-19 krijojnë mbrojtje me efektivitet deri 91%. Kjo tregon se në çdo 100 persona, 91 prej tyre krijojnë imunitet ndaj koronavirusit për të paktën 7 muaj pas infektimit të parë.
Efektshmëria e imunitetit të krijuar në mënyrë natyrale është 4% më i ulët se vaksina e firmave Pfizer/BioNTech që ka nivelin më të lartë në botë.
Studimi është kryer bazuar në të dhënat e mijëra personave që e kanë kaluar infektimin me Covid-19 në Austri, ku numri i përgjithshëm i të shëruarve është 414 mijë, ose rreth 94% të totalit të të prekurve.
Megjithatë, ekspertët thonë se nevojiten ende shumë studime për të vërtetuar plotësisht këtë konstatim, ndaj dhe bëhet thirrje që të mos hiqet dorë nga masat për frenimin e përhapjes, si mbajtja e maskës apo ruajtja e distancës.
Infeksionet ditore janë më tepër se përgjysmuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa trendi rënës ruhet edhe në Europë./a.p