Shefja e Infektivit, Najada Çomo ka kallëzuar në polici një rast shqetësimi, pasi prej disa ditësh merrte telefonata shqetësuese.
Çështja po trajtohet nga komisariati nr 4, i cili ka referuar materialet ne prokurori për një 32-vjeçare nga Berati, e cila që prej datës 28 janar ka shqetësuar mjeken me telefonata të shumta.
Mësohet se shkak për këto telefonata ka qenë prekja me Covid e një të afërmi të 32-vjeçares, që ka marrë trajtim në spitalin infektiv.
Fillimisht ka qenë vetë shefja e Infektivit, e cila e telefononte 32-vjeçaren për ta vënë në dijeni për gjendjen e pacientit. Por, pasi kjo situatë ka kaluar, 32-vjeçarja vazhdonte ta shqetësonte vazhdimisht, duke i bërë mbi 20 telefonata në ditë.
“Më datë 15.02.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen M. Ç., (S), 32 vjeçe, banuese në Berat, sepse prej datës 28.01.2021 dhe në vazhdim, ka shqetësuar me telefonata të shumta, shtetasen N. Ç”, thote policia.
g.kosovari