Nga Ilva Tare
Irritimi i shprehur vecanërisht në rrjete sociale për vëmendjen e tepruar dhënë Erdoganit në udhëtimin e shkurtër në Tiranë është deri diku i kuptueshem, nëse lidhet me faktin se Turqia na trajton si një vend më të cilin në vend të 600 vjet vëllazëri e lidhin 500 vjet skllavëri
Shumë kryeqytetasve ju prish qetësia të mërkurën e kësaj jave nga një trafik i rënduar dhe një ceremonial i ekzagjeruar për një nga liderët më problematikë për Europën Perëndimore. Presidenti i Turqisë përreth 18 orë e mbajti të blinduar dhe paralizuar Tiranën për shkak të takimeve dhe vizitave ku u përcollën mesazhe që u thanë në turqisht dhe në shqip përmes përkthyesve, por më interesantët duhet të kenë qenë mesazhet që nuk u shqiptuan në publik dhe që për momentin i dinë vetëm krerët e lartë të shtetit.
Publiku edhe këtë radhë u bë spektator i një telenovele me një seri që u luajt në Tiranë por që skenarin mund t’ja kenë shkruar në Ankara ose edhe Berlin sic thuhet nën zë nga burime që pretendojnë se mos ardhja e milionave turke në Shqipëri lidhen me orientimin e dhënë nga Perëndimi për të qenë të kujdesshëm në bashkëpunimin me Erdogan.
Në të vërtetë, publiku shqiptar është spektator i telenovelave turke vitet e fundit. Me një zell të theksuar dhe shifra audiencash televizive që kanë thyer rekorde janë përjetuar historitë e Ezelit, Gymyshit e deri tek Elifi me Omerin. Të më ndjejnë shikuesit e rregullt të telenovelave turke por vetëm kaq personazhe kam arritur të dëgjoj si më të suksesshmit në tavolina grash e burrash që debatojnë për serinë me intrigat e radhës. Po kaq e vërtetë është gjithashtu që agjensitë turistike kanë ndërtuar udhëtime të posacme në Stamboll në vendet ku është xhiruar Ezeli për vizitorët e shumtë nga Shqipëria. Tek tuk ka edhe ndonjë simpatizante të “Muzeut të Pafajësisë” së nobelistit Pamuk, por këto janë më të rralla.
Irritimi i shprehur vecanërisht në rrjete sociale për vëmendjen e tepruar dhënë Erdoganit në udhëtimin e shkurtër në Tiranë është deri diku i kuptueshem, nëse lidhet me faktin se Turqia na trajton si një vend më të cilin në vend të 600 vjet vëllazëri e lidhin 500 vjet skllavëri. Sikundër është i kuptueshëm fakti se Turqia ka bërë pak ose aspak për të sjellë investime dhe sipërmarrje të konsiderueshme në vendin tonë, gjykuar nga mundësitë dhe përqindja mbresëlënëse e rritjes së brendshme ekonomike, ndërkohë që vendet e tjera europiane përjetojnë kriza të thella.
Porse të shqetësohesh për makinat e blinduara që shoqëronin autokratin turk në rrugët e boshatisura të Tiranës, apo të kujtohesh të thuash se nuk kemi nevojë për financimet e Erdoganit dhe as betejat e tij me Gulen të transferuara në tokën shqiptare, kur pothuajse pjesa më e madhe e publikut shqiptar jeton me realitetin e Turqisë, fantazinë e skenaristëve të tyre, lojën e aktorëve të talentuar dhe përvetësimin e gjuhës si një “pushtim” i dytë otoman i kohërave të Bashkimit Europian.
Pati nga ata që vunë baste se nëse do të kishte ardhur Elifi dhe Omeri Tirana do të kishte qenë edhe më e bllokuar për shkak të dyndjes së fansave të tyre në rrugë për ti përshendetur e takuar. Ajo cfarë nuk kuptohet është përse nuk i shqetëson Elifi që u hyn fundjavave në shtëpi dhe gjatë javës nuk u ndahet në biseda mbi peripecitë e saj, por ngrenë zërin vetëm kur e shohin në ditën me diell se Turqia po na ofron ndihmë me shkëmbime favoresh a thua se vendet e tjera mike dhe investitore përdorin ndonjë monedhë tjetër, të ndryshme nga ajo e Erdoganit.