Kryetari i PD, Lulzim Basha vijoi turin e takimeve për të ndarë me grupet e interesit programin e tij qeverisës, Shqipëria Fiton.
Në një bisedë të hapur me përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, kandidati për kryeministër i Opozitës së Bashkuar, shpalosi detajet e programit, në veçanti atij ekonomik dhe efektet që do të ketë ai për biznesin në përgjithësi e për prodhuesit shqiptar në veçanti.
Lulzim Basha: Uroj dhe kam bindjen që do të gjeni në këto propozimet tona shumë prej shqetësimeve që keni ngritur dhe shumë prej problemeve me të cilat jeni përballur gjatë këtyre viteve. Në rrafshin e reformës fiskale, ne i qëndrojmë me vendosmëri angazhimit tonë për taksën e sheshtë 9%. Sikundër, uljen e kontributeve shoqërore në 18%, pra, 9+9 duke zbatuar kështu parimin e taksës së sheshtë si një parim që do të nxisë rritjen ekonomike, do të nxisë punësimin, por po kështu do të nxisë transparencën dhe do të luftojë informalitetit dhe duke çuar në një skenar të tre palët fitojnë. Sipërmarrjet shqiptare në radhë të parë, është një ndihmë e konsiderueshme financiare, është në fakt një akt i cili lë në xhepat dhe në kontot tuaja një pjesë të parave tuaja, se nuk është ndihmë, është thjeshtë mos t’ju fusim dorën në xhep aq thellë saç u është futur në këto 8 vite.
Në këtë mënyrë ju keni një stimulues për të stabilizuar gjendjen ekonomike e cila ka qenë e vështirë, është e vështirësuar edhe më shumë këto vitet e fundit. Kemi një stimulues për të investuar dhe për të punësuar, dhe këtu vjen pala e dytë fituese e këtij propozimi që janë të punësuarit. Punësimi si objektiv kryesor ju jeni dhe ne besojmë se me të gjitha hapat që do të hidhen rezultati përfundimtar në krye të katër viteve do të jetë hapja e të paktën 110 mijë vendeve të reja të punës për ekonominë shqiptare në të gjitha sektorët, jo vetëm në sektorin e prodhimit. Dhe pa diskutim që dhe shteti do të fitojë dhe ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë apo e shesin si paradoks duhet ta kenë fare të qartë; taksa 15% në tërësi ambienti fiskal, klima e tmerrshme e krijuar kundër biznesit ka çuar në skenarin më të mirë uljen e fitimeve të biznesit, në skenarin më të keq falimentimin e biznesit. Kur biznesit i ulen fitimet, edhe arka e shtetit është bosh.
Po kaq bosh dhe më bosh është në qoftë se biznesi falimenton. Ndërsa me fuqizimin e biznesit përfitojnë edhe të punësuarit, rritet dhe konsumi, përfiton dhe arka e shtetit. Dhe ky është fituesi i tretë i skemës, i angazhimit që ne ndërmarrim në fushën fiskale. Fiton sipërmarrja, fitojnë të punësuarit, hapen vende të reja pune, pa diskutim përfiton dhe arka e shtetit e cila, buxheti i shtetit, të ardhurat publike të cilat sigurisht duhet të destinohen me mençuri, me zgjuarsi për t’u përballur edhe me sfidat aktuale, por edhe për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik dhe jo të keqpërdoren duke ia dhënë paratë një grushti njerëzish, ortakësh të qeverisë apo duke bërë investime pa efiçiencë, zbukurime dhe buzëkuq elektoral i cili nuk ndihmon ekonominë, nuk ndihmon infrastrukturën, nuk ndihmon aspekte të tjera për standardin e jetesës siç janë uji i pijshëm, energjia, etj, etj-ra.
Kreu demokrat tregoi edhe angazhimet e tij sa i përket aspektit fiskal, ku sipas tij fiton biznesi, por fiton edhe shteti. Ai përsëriti edhe njëherë premtimin për heqjen e taksës Rama mbi karburantit dhe një sërë masash të tjera që do i vijnë në ndihmë qytetarëve dhe biznesit.
Lulzim Basha: Për të gjitha këto plani ka angazhime konkrete. Sepse asnjë nga problemet që i ngritët tani nuk është se po i ngrini për herë të parë. Dhe siç e thatë ne me të vërtetë kemi bërë një bilanc të ekonomisë në kuptimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve, por e kemi bërë në kuadrin e një rritje ekonomike që do të sjellin këto politika dhe në bazën e këtij projeksioni kemi sjellë zgjidhje realiste për këto probleme, jo premtime boshe. Parimi kryesor i këtij plani është që këto janë angazhime të zbatueshme. Dhe se sa të zbatueshme janë të futet në detaje zonja Tabaku për disa prej çështjeve që preken të tre dhe pastaj vazhdojmë diskutimin dhe me çështje të tjera.
g.kosovari