Gjermania dhe Franca, dy vendet më problematike të kontinentit gjatë valës së fundit të koronavirusit po ecin në drejtime të ndryshme me masat për frenimin e përhapjes. Qeveria gjermane zgjati deri më 7 Mars, paketën e masave që megjithatë do të nisin të lehtësohen. Nisur nga shifrat e ulta dhe të qëndrueshme të infektimeve ditore, kancelarja gjermane Angela Merkel ua la në dorë krerëve të qeverive rajonale hapjen ose jo të shkollave.
Në Berlin, Hesen e Rainland – Pfalz shkollat dhe kopshtet do të hapen pas 22 Shkurtit, ndërsa rajonet e tjera ende nuk kanë përcaktuar një datë. Pas kësaj date planifikohet hapja edhe e qendrave estetike në varësi të shifrave të ulta të infektimeve. Autoritetet gjermane kanë nisur kontrollin e kufijve me Çekinë, Austrinë dhe Zvicrën në përpjekje për të parandaluar hyrjen e mutacioneve të reja të COVID -19.
Ndërsa në Francë, për shkak të shifrave të larta të infektimeve ditore, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e mbajtjes mbyllur të shkollave edhe pas pushimeve dimërore. Nuk përjashtohet mundësia e një bllokimi të tretë kombëtar. Franca qëndron në krye të listës së kontinentit me infektimet ditore.
Në Itali dhe Rusi, vazhdon rënia e qëndrueshme e numrit të infektimeve, ndërsa Gjermania ka numrin më të ulët mes vendeve më të populluara.
/a.r