Të ardhurat totale për vitin 2020 u realizuan në masën 425.6 miliardë lekë ose 95.3 % të planit vjetor.
Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, në përmbledhjen e Performancës 12 mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve.
“Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 34.7 miliardë lekë. Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 372 miliardë lekë, 27 miliardë më pak ose -6.8% krahasuar me vitin 2019, si dhe 10.8 miliardë ose 2.8% më pak se plani vjetor (i rishikuar sipas AN 28) për vitin 2020”, – tha ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Sipas ministrisë, shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2020, arritën në rreth 536.3 miliardë lekë me një realizim në masën 97.6% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 92.5% të planit vjetor sipas Aktit Normativ.
“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 9% më i lartë ose rreth 44.4 miliardë lekë më shumë”, thekson ministria.
Ndërsa shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht: shpenzimet korente janë realizuar në masën 94.5% të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 95.3 përqind të planit vjetor sipas AN nr.34. Shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 104.3% të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 95.3% të planit vjetor sipas AN nr.34.
Ministria e Financave dhe Ekonimsë u shpreh se “niveli i deficitit për vitin 2020 rezultoi në 110.67 miliardë lekë nga rreth 132.96 miliardë lekë i planifikua.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 31.5 miliardë lekë, për vitin 2020 deficiti rezulton 79.1 miliardë lekë më shumë.
/a.r