Nga Ben Andoni
Dy qytetet e veriut kanë mbetur pas dhe të braktisura në investime të mjaftueshme, madje me borxhe si në Bashkinë e Pukës, që ka lënë peng dhe godinën, por gjithsesi banorët nuk ankohen. I mbijetojnë dimrit, fatit dhe mbi të gjitha shifrave të pushtetarëve qëndrore dhe lokalë që ua trazojnë kokat në kohë zgjedhjesh. Sa për të rinjtë dhe fëmijët, atyre u mjaftojnë kafet, bilardot, interneti, fushat e parregulluara dhe natyra…Çfarë do donte më shumë një fëmijë, më thotë dikush? Katër (Në fakt tre) kandidatët artikulojnë fjalë ndryshimi, por në thellësi mungon boshti i duhur sesa vend do zenë në planet e tyre fëmijët…
Gjëja më kitch-i sot, është të fillosh një shkrim që i dedikohet Pukës dhe ta lidhësh me Migjenin. Diturakët lokalë nuk lënë moment pa e përdorur mësuesin e dikurshëm dhe dy personazhet e tij të njohura Lulin dhe Zenelin, dy krijesa të gjora, që do i shkonin më shumë peizazheve humane të Hygoit. Sot, nuk ka leckat e dikurshme, por ka varfëri, lista ushqimesh dhe për fëmijët fusha sporti djerrë, bilardo, kafe dhe internet. Tek kjo e fundit, nxjerrin dufin rinor qindra fëmijët e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, që në këto ditë maji i gëzohen diellit pranveror duke u shullehur në heshtje…
…
Me një kolege të UNICEF-it duam të zgjidhim një rebus kombëtar në rrethe të ndryshme, sesa vend zë realisht në axhendat politike të kandidatëve, fushata e re për zgjedhjet lokale. Puka e vitit 2015 nuk ka më motive me Molla të ndalueme apo me Kangët e pakëndueme, sepse tani është e mbushur me kafe dhe njerëz që nuk punojnë. Heshtin. Kur flasin ankohen. Blejnë me lista. Nuk protestojnë. E, mezi po presin zgjedhjet lokale!!! Sepse në këtë qytet dhe qytezën e vogël satelite të Fushë Arrëzit, ngjarjet më të mëdha janë zgjedhjet. Vajzat janë të veshura hijshëm për kushtet e Pukës, kurse djemtë, që shoqërohen dy e nga dy apo më shumë, stërhallen në mini-lulishtet e qytetit. Më të begatët syresh janë në bastore ose bilardo ose kuptohet kafe. Në qytet ka edhe të huaj, ka vullnetarë dhe varfëria e peisazhit urban. Ajo humanja “nuk duket”. Varfëria, që në Shqipëri është ngado, e has me listat e stërgjata, që shitësit mezi ta nxjerrin ose ta tregojnë si konspiracion, duke bërë me kokë matanë prej njerëzve të veshur keq që sorrollaten. Një njeri, që vjen për herë të parë, sigurisht nuk kupton asgjë. Për kryetarin e bashkisë, Beqir Arifaj është punuar shumë, por njerëzit dashakeq kanë fryrë vetëm borxhin, na thotë. Është burokrat i mirë dhe shumë më i organizuar se kandidati i PD-së, që i mëton vendin. Arifi, nuk do të kandidojë më, sipas urdhrit të PD-së, por është i nderuar që të gjithë asetin e krijuar t’ia lërë pasardhësit të vet, që pas telefonit na flet për fëmijët dhe për ngutin e vet. Po ngutet vallë!!! Më duket se ngucja e kandidatëve të Pukë, Fushë-Arrëzit i ngjan atyre të Tiranës por në invers. Ndërsa dy kandidatët potenciale të Tiranës u duhet të mbulojnë një hapësirë që është baraz me 1/3 e vendit, këta kanë një territor, që ngjan si kopsht i vogël. “Dy kandidatët kundërshtarë për bashkinë e Pukës janë miq dhe ndaj fushata ka qen’ e qetë”, na thotë një qytetar. “Janë njerëz të mirë, por çfarë do ndryshojnë vallë! Sigurisht asgjë. Ca më shumë për fëmijët. Fëmijët duan shkollë, mundësi dhe punë. Këta vazhdojnë me llafe”, më flet një mësues. “Çfarë bëni”-pyes dy të rinj, që janë ulur në një stol dhe këqyrin mu para Bashkisë në lulishte, atje ku edhe të rinj të tërë rrinë ulur. Ngrenë supet.“Hiç. Këtu s’ka asgjë. Pak bilardo. Sport. Pastaj të ikim”. Janë të heshtur, por tejet simpatikë dhe të pastër. Në të gjithë ditën, ndërsa duam të gjejmë temë për fëmijët, mbetemi e sorollatemi në argumente votimesh dhe çfarë mund të ndryshojë. Dikush sjell rastin e një prifti, që ka ndryshuar komunitetin. Dikush mungesën e ardhjes së shtetit. Kurse ti, natyrshëm mendon: po mirë, po fëmijët çfarë vendi do zënë vallë në këto fjalime dhe premtime të kandidatëve? Nga ajo që dëgjojmë dhe fjalët e përgjithshme, është utopi, që të ndryshojë më shumë se kaq, paçka se evolucioni e ka kahun vetëm pozitiv. Dhe, si në vende të tjera, premtimet i zenë vendin njëra-tjetrës, por në realitet, pothuaj s’bëhet ose s’pritet gjë. Konventa për të Drejtat e Fëmijëve me të gjitha 53 nenet e saj shpreh qartë jo vetëm detyrimet e një shteti ndaj fëmijëve të vet, por këtu në takimin me kandidatët dhe njerëzit e tyre, kuptojmë se ata jo vetëm nuk i dinë të drejtat por edhe nuk i kanë zbatuar. Armiqësia e dy kaheve është e njëjtë si në çdo qytet, paçka se kandidatët me miqësinë e tyre dhe përkatësinë janë të qetë. Në mandatin e fundit, bashkia, si më thotë Beqir Arifaj: Është marrë në një gjendje financiare ashtu siç i thonë këta qeveritaret e sotshëm me një “grope të zezë” me detyrime ndaj palëve të treta mbi 50 % te buxhetit të bashkisë, ose në një vlerë prej 26 milion leke borxhe nga të cilat rreth 3 milion energji elektrike, 1.5 milion shpenzime telefonike, me rreth 12 milion firmës me sipërmarrje për pastrimin e qytetit etj. Një sasi e konsiderueshme me vendime gjyqësore të formës së prere e kjo ka vështirësuar tej mase punën e bashkisë, e kjo ka qenë një nga arsyet që shërbimet janë kryer me shumë vështirësi. Vetëm punonjës jashtë organikave dhe mundësive për t’i paguar qysh në vitin 2011-2012 janë shkurtuar mbi 20 punonjës. Veprim ky i imponuar domosdoshmërisht për hir të mundësive financiare që kishte bashkia”. Shkolla profesionale, fushat e sportit dhe do gjëra apo shërbimet që premtohen në Fushë Arrëz, ka pak gjasa që të bëhen.
Gjon Gjonin e PS-së, kandidatin e Pukës, që e takojmë fill, na thotë se: qëllimi i tij ka të bëjë me hapjen e një shkolle profesionale. “Kohët e fundit, kryeministri Rama në një takim të fundit ka premtuar se pasi të marrë treguesit do të shikojë realisht se çfarë mund të bëjë, që shkolla profesionale, që mund të hapet, t’i përgjigjet interesave të gjithë zonës”. Kurse kolegu i tij i PD-së, Rrok Doda shpreson që të punojë shumë më tepër se kolegu i partisë së vet. “Terrenet sportive i kemi sepse i kemi ndërtuar në këtë mandat, tashmë do gjejmë fonde që t’i mirëmbajmë. Do përmirësojmë dhe më shumë infrastrukturën në çerdhet dhe shkollat, bashkë me mjediset përkatëse që të bëhet kompleks…”. Më duket disi i habitshëm në gjykimin e tij kandidati i PD-së për Fushë-Arrëzin Gëzim Vata, që na thotë se do punojë për “Vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me probleme të zhvillimit dhe shëndetit mendor. Kam vendosur bashkë me bashkëpunëtorët e mi që të përdor ambientet e qendrës së re sociale dhe ta orientoj drejt organizimit dhe projekteve të ndryshme”.Në kokë më mbërrijnë imazhet e ndihmës që disa suora u asistojnë fëmijëve në Fushë-Arrëz. Imazhet janë të tmerrshme, por më të sikletshme më duken fjalët e kandidatit. Vërtet, të jetë e tillë dhe ky nivel problemi shëndeti? Kemi pasur mundësi ta shikojmë vetë, kur 30 minuta më vonë, mbërrijmë në një qytet që antenat parabolike për të kapur stacionet e TV-së ngjajmë me luledielli metalike. Fushë-Arrëzi të ndjek ngado me një imazh rrethor varfërie. Por, ashtu si në të gjitha qytetet, ti mund ta marrësh pulsin e vërtetë po të rrish në qytet dhe të shkrihesh me banorët. Po qëndrove më shumë, atëherë varfëria dhe pamundësia të përplaset ngado dhe ti kthehesh njësoj si ata.
…
Në Fushë-Arrëz, kalimi i orëve e bën situatën tonë më të habitshme me morinë e njerëzve që rrinë kot në bulevard duke mos bërë pothuaj asgjë, kurse fëmijët e shumtë që janë të shpërndarë në dy kafetë e qytetit të flasin vetëm për facebook. Çfarë mund të bëhet këtu? Këtu nuk bëhet asgjë, më thotë një djal’ me uniformë të rregullt shkolle, me një kollare të hollë dhe që ecën duke u tundur. Këtu mbijetohet dhe shtyhet derisa të ikim të gjithë, ma pret një njeri i veshur në një formë të habitshme mes viteve ’80 dhe një mediumi të 2000. Nuk di ç’të them vetëm të koleksionoj fjalët e kandidatëve, kurse vështrimi më mbetet në antenat parabolike dhe në fjalët që do na shkruajë një nga kandididatët për ndihmën e fëmijëve të sëmurë dhe familjet e varfëra. Vallë kaq keq është Puka dhe Fushë-Arrëzi 2015?1 Duhet syri i një Migjeni të ri, që ta përshkruajë varfërinë e fëmijëve veshur me rroba të këndshme second-hand. Nuk di sa ta përshkruaj buzëqeshjen e fëmijëve në këtë cep të vendit! Pranverë e vitit 2015.