Pas 13 degëve në Kombinat, shkërmoqet një tjetër degë e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë. Aleksandër Lipivani, pjesë e strukturave drejtuese të LSI-së në Njësinë 8, së bashku me 70 anëtarë të zhgënjyer të kësaj force, i janë bashkuar sot në mënyrë demonstrative Partisë Socialiste, duke marrë kartat e reja të anëtarësisë.
Teksa morën kartat e anëtarësimit në PS nga kryebashkiaku Erion Veliaj, ata deklaruan se ndjehen të kënaqur që janë rikthyer në shtëpinë e tyre dhe shprehën besimin për fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.
“Personalisht jam shumë i kënaqur. Jam rikthyer në shtëpi. Kam qenë socialist dhe socialist do të jem deri në fund. Kënaqësi e madhe të kesh zotërinj dhe zonja kaq të nderuara. Absolutisht, gjithçka ka ardhur natyrshëm, rrjedhë normale. Suksese Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit, suksese kryetarit, suksese deputetit”, theksoi Lipivani.
Duke i përgëzuar për vendimin e marrë, Veliaj u uroi mirëseardhjen në PS. “Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe na qoftë një rrugëtim i gjatë dhe i mbarë. Më bëhet shumë qejfi”, deklaroi Veliaj.
Gjatë ditëve të fundit, një numër i madh anëtarësh të LSI-së dhe drejtues degësh të kësaj force në kryeqytet i janë bashkuar PS. Rasti i fundit ishte ai i shkrirjes së 13 degëve në Njësinë 6, në Kombinat./a.p