Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia pasi kishte hapur 10 profile të rreme në rrjetet sociale dhe kërkonte 25 mijë Euro bamirësi për një person të sëmurë, duke mashtruar qytetarët.
Policia e Shtetit thotë se 19-vjeçari me iniciale J.M. nga Shkodra nuk ka lidhje me personin që pretendohet se ishte i sëmurë. Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë edhe një 22-vjeçar me iniciale E.P. i dyshuar për mashtrimin kompjuterik.
“Këta shtetas kishin hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, me qëllim mashtrimin e shtetasve që dëshironin të jepnin ndihma financiare për persona të ndryshëm. Nga këto profile, 19-vjeçari kërkonte ndihma financiare për persona që kishin probleme shëndetësore dhe u nevojitej ndihmë financiare nga qytetarë të tjerë. Gjatë komunikimit, ai u dërgonte dhe të dhënat se ku do të dërgoheshin këto ndihma financiare”, njofton policia.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e dërguara nga ky shtetas i përkisnin një shtetasi tjetër, i cili do të bënte të mundur tërheqjen e ndihmave financiare. Nga verifikimet u zbulua se 19-vjeçari kishte hapur 10 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.
Gjatë kontrollit të banesës së të arrestuarit dhe të proceduarit, u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare. Ata akuzohen për mashtrim kompjuterik. Hetimet për të rast nisën pas kallëzimit të drejtuesit të një fondacioni bamirësie dhe zgjatën disa muaj.
/a.r