Ministria e Jashtme ruse vendosi largimin si persona “non grata” të Jonida Drogut, sekretares së parë të Ambasadës shqiptare në Moskë.
Asaj i janë lënë në dispozicion 72 orë për t’u larguar nga Federata Ruse. Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë në një deklaratë për median jep shkaqet e dëbimit të diplomates shqiptare.
“Ambasadorit të Shqipërisë iu dorëzua vendimi për shpalljen person ‘non grata’ të sekretares së parë të Ambasadës shqiptare në Moskë, Jonida Drogu. Ky hap ndërmerret nga Rusia si përgjigje e vendimit të Shqipërisë për të larguar nga vendi përmes një preteksti sekretarin e parë të Ambasadës ruse në Tiranë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë më tej e lidh dëbimin e diplomatit të saj nga Tirana me çështje të brendshme politike në vendin tonë. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë thuhet: “Ne e konsiderojmë veprimin e palës shqiptare si një provokim për të fituar pikë politike në kushtet e fushatës elektorale që ka nisur në Shqipëri duke luajtur bashkërisht me forcat antiruse në Perëndim për të marrë mbështetje. Veprimet e palës shqiptare bien në kontradiktë me garancitë e dhëna nga Tirana për dëshirën e mirë të zhvillimit e marrëdhënie mes dy vendeve. Por në fakt, ata e shkatërruan këtë perspektivë për marrëdhënie të mira bilaterale. Kjo është për të ardhur keq”.
Lajmi i dëbimit u publikua nga “Sputnik” menjëherë sapo ambasadori shqiptar, Arben Gazioni, kishte mbërritur në godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Diplomatja Jonida Drogu mbulonte veprimet konsullore e si pasojë e dëbimit të saj, Ambasada shqiptare në Moskë nuk do të mundë të realizojë shërbime konsullore, ndërsa në Ambasadë mbetet vetëm ambasadori. Në 21 janar të këtij viti, Shqipëria dëboi si persona “non grata” diplomatin rus Aleksej Krivoshejev, ndërsa ky veprim pasoi nga një reagim i ashpër i Moskës zyrtare. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi dëbimin e Krivoshejevit një provokim që kërkon të përkeqësojë marrëdhëniet ruso-shqiptare.
“Moska shpreh keqardhjen për vendimin e dëbimit të diplomatit rus nga Tirana”, i tha agjencisë ruse të lajmeve “RIA Novosti” zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko. “Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jomiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”, komentoi Grushko për “Ria”. “Kjo është hera e parë që një diplomat rus përjashtohet në këtë Vit të Ri. Në vitin 2020 hapa të tillë u ndërmorën në Bullgari, Holandë, Austri, Sllovaki dhe Republikën Çeke, ku më shpesh kishte akuza për spiunazh. Moska reagoi njësoj”, shkruan më tej artikulli.
Rusia dhe Shqipëria edhe më parë kanë dëbuar diplomatë. Të parët ishin dy diplomatë rusë të cilët u dëbuan nga Shqipëria si një veprim i koordinuar me vendet aleate, e më pas Rusia u përgjigj duke dëbuar dy shqiptarë.
g.kosovari