Seanca parlamentare e ditës së sotme ka nisur me një interpelancë nga Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj. Interpelanca është thirrrur nga deputeti i opozitës parlamentare Artur Roshi.
Roshi nisi fjalën e tij duke pyetur nëse Rama lëshon kupon për pikturat e tij. Ministrja nga ana tjetër iu përgjigj për rimëkëmbjen e biznesit duke thënë se qeveria i ka qëndruar pranë gjatë pandemisë.
“E kam kërkuar këtë interpelancë, pasi sapo lamë pas një vit të vështirë për turizmin, që tregon rendimentin jo pozitiv të qeverisjes suaj. Zonja ministre doja tiu bëja dy pyetje, a lëshon kryeministri Rama kupon për pikturat e tij, a paguan ai taksa në shtet, a ka një nipt. Po biznesi i makinetave nuk lëshon kupon tatimor për blerësit? Do mbahesh mend si ministrja që ke favorizuar oligarkët, dhe që ke shkatërruar biznesin e shërbimeve. Mund të na e shpjegoni si do të rriten të ardhurat me heqjen e TVSH-së për jahtet? A mendoni se me paratë që do të paguhen PPP-të do të bllokohen dhjetra investime të tjera? Sa biznese janë mbyllur për shkak të Covid 19. Ku e di qeveria sa do të fitojë biznesi në fund të ditës?”, tha Roshi.
Ministrja Anila Denaj ka folur për ekonominë gjatë vitit 2020 për të cilën u shpreh se ka qenë e vështirë, por me ndihmën e qeverisë përmes instrumenteve ekonomike ka bërë që t’i bëhet ballë kësaj krize.
Sipas saj, qeveria ka ndihmuar bizneset e vogla duke eleminuar disa taksa ndërsa për papunësinë, ajo bëri një krahasim mes viteve 2019 dhe 2020. Denaj u shpreh se në dhjetor të 2020 ishin mbi 689 mijë të punësuar ndërsa në 2019 ishin 688 mijë të punësuar.
“Bizneset e vogla në Shqipëri, në vitin 2020 ishin në valën e parë të vështirësive të falimentit. U mbyll ekonomia, jo vetëm këtu. Recesioni ekonomik në botë parashikohet në 3.5%. Edhe pse mbyllja e ekonomisë dhe vështirësitë e biznesit u përballën me pandeminë dhe tërmetin, unë them se ja dolëm në një vit të vështirë. Biznesi i vogël mori masa për të dalë nga kjo situatë me ndihmën e qeverisë. Janë dhënë paga për 300 mijë individë. Qeveria qëndron në anën e bizneseve duke eleminuar disa taksa. Vitin që shkoi, në vlerën neto të regjistrim, çregjistrim, kemi një situatë me neto pozitiv 203 neto. Kjo nuk do të thotë që biznesi nuk e ka pasur të vështirë por masat e marra kanë bërë të mundur që të mos mbyllen bizneset. Në raport me likuiditetin theksoj, se ne kemi marrë masa për riskedulimin e tatim-fitimit për bizneset e vogla. Dhamë likuiditet përmes garancive sovrane. Fiskalizimi ka filluar, janë 7 sisteme. Ftesa vlen për ju që të merrni kuponin. Për punësimin, po t’i kthehemi 2020, ishte një vit i vështirë pasi shumë persona humbën punën e tyre. Në dhjetor të 2020 numri mbi 689 mijë ndërsa në dhjetor të 2019 ishte 688 mijë. Përsa i takon taksës së arsimit. Kjo është një taksë vendoset nga pushteti vendor, Bashkia Tiranë dhe është e drejta për financat, ku këshilli i njësisë vendore ka të drejtë të vendosë taksën dhe të ofrojë një infrastrukturë arsimore. Falja e gjobave dhe penaliteteve. Ne kemi nënshkruar këtu aktin për faljen e gjobave“, tha Denaj.
g.kosovari