Eksperti kryesor për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Antony Fauci ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se sipas përllogaritjeve, imuniteti i tufës ndaj koronavirusit do të arrihet pasi të vaksinohet 70 deri në 85 për qind e popullatës.
Duke folur për variantet e reja të koronavirusit, të paraqitura në disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut, Brazili dhe Kina, Fauci thotë se ata të gjithë janë virus SARS-CoV-2, por kanë dallime të vogla që mund të çojnë në një ndryshim funksional.
“Domethënë antitrupat mund të mos reagojnë në mënyrë efektive kundër tyre. Ndonjëherë kjo i bën atë më të transmetueshëm. Ne e dimë që varianti i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe ai i Afrikës së Jugut dhe me shumë mundësi varianti brazilian transmetohen shumë më lehtë”, ka thënë Fauci.
Eksperti amerikan thonë se vaksinat aktuale të koronavirusit, siç janë: Moderna, Pfizer dhe së shpejti edhe Johnson&Johnson, mund të jenë efektive ndaj koronavirusit të ri.
I pyetur për sigurinë e një personi që të udhëtojë pasi të ketë marrë dy dozat e vaksinës, Faucci tha:
“Kjo varet nga gatishmëria për të marrë rrezikun mbi vete. Pa dyshim se rreziku është më i vogël nëse jeni vaksinuar. Nëse keni marrë një vaksinë që është efektive prej 94 deri 95%, rreziku i infektimit tuaj ekziston, por sigurisht rreziku që të sëmureni është shumë më i ulët sesa para vaksinës. Megjithatë ende ekziston një rrezik. Tani për tani ne ende bëjmë apel që nëse nuk e keni patjetër, mos udhëtoni”, tha Fauci për Zërin e Amerikës.
Imunizimi i popullsisë në Shtetet e Bashkuara filloi në mes të dhjetorit të vitit 2020.
Deri më 5 shkurt 2021, sipas të dhënave të botuar nga Bloomberg janë dhënë më shumë se 36 milionë doza të vaksinës.
Vaksinat që janë lejuar për përdorim në SHBA janë të kompanive Moderna dhe Pfizer/BionTech.
Deri në fund të janarit të vitit 2021, sipas Institutit Johns Hopkins, më shumë se 26 milionë njerëz me koronavirus u regjistruan në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 456 mijë njerëz vdiqën si rezultat i infeksionit.