4 shqiptarë kanë rënë në pranga në Britani të Madhe pas një operacioni të zhvilluar në Uellsin Jugor, ku policia ka gjetur kanabis të mbjellë në 14 prona.
Kryesori që merrej me kanabisin e mbjellë në këto prona ishte shqiptari Rentil Zyberi. Policia ka zhvilluar një operacion rutinë gjatë të cilit u kap kanabis me vlerë 2 milionë paund. Zyberi, i cili kujdesej për kanabisin e mbjellë është kapur në korrik të vitit të kaluar, kur oficerët e policisë shkatërruan dhe kanabisin e mbjellë.
Të Premten në gjykatë Zyberi dhe “bankieri” i bandës Arben Marku u dënuan të dy për përfshirjen e tyre në këtë aktivitet kriminal. Prokurori e përshkroi Zyberin, si “kujdestarin” e pronave.
Gjykata tha se 39-vjeçari Marku ishte “bankieri” i ndërmarrjes kriminale dhe se 49,980 £ u gjetën në një gardërobën e tij.Sipas mediave të huaja, Marku lindi në Shqipëri, ku ai punoi në një fermë me bagëti, përpara se të vendoste të transferohej në Uells për një “jetë më të mirë”.
Avokatët e të dënuarve në mbrojtje të klientëve të tyre thanë se ata ishin penduar, por e kishin bërë këtë punë për të siguruar para dhe për t’ua dërguar familjarëve në Shqipëri.
Të arrestuar në kuadër të këtij operacioni kanë qenë edhe Leonard Bruki dhe Arber Aliaj të cilët ishin brenda ndërtesës dhe të dy u arrestuan sepse dyshohen si të përfshirë në prodhimin e kanabisit. Bruki, 27 vjeç dhe Aliaj, 23 vjeç, të dy shtetas shqiptarë u dënuan me dy vjet e tre muaj burg.
Pasi kanë kaluar disa muaj të paraburgosur, të dy të pandehurit tani pritet të lirohen brenda disa javësh, duke shlyer më shumë se gjysmën e dënimit. Ata do të dëbohen pasi të dalin nga burgu.