Kancelarja gjermane ka dënuar sot përjashtimin e diplomatëve evropianë nga Rusia për pjesëmarrje në protestat e opozitarit Alexei Navalny.
Ndërkohë ky i fundit doli sot përsëri në gjyq në Moskë.
Angela Merkel ka quajtur “të pajustifikuar” përjashtimin e diplomatëve që morën pjesë në protestat e paautorizuara në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit, duke thënë:
“Ne i konsiderojmë përjashtimet të pajustifikuara. Madje besojmë se ky është një tjetër aspekt i asaj që në Rusi sot nuk mund të quhet rend ligjor,” tha ajo në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin francez Emmanuel Macron.
Ndërsa ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, tha më herët se vendimi i Moskës për përjashtimin e diplomatëve nga Polonia, Gjermania e Suedia si persona non grata “nuk do të mbetet pa përgjigje”.
Maas shtopi se diplomati diplomat në fjalë “ishte vetëm duke përmbushur detyrën e tij … për t’u informuar mbi zhvillimet në terren, me mjete tërësisht të ligjshme”.
Konflikti diplomatik po ndodh teksa në Moskë, Navalny u shfaq sot në gjyq për herë të dytë brenda javës, me akuzat e shpifjes ndaj një veterani të Luftës së Dytë Botërore.
Në qershor autoritetet ruse nisën hetimet ndaj Navalny pas publikimit prej tij të një mesazhi video ku quante ndihmësat e presidentit Vladimir Putin “kukulla të korruptuara”, “njerëz pa ndërgjegjie” dhe “tradhtarë”.
Autoritet thanë se komentet e Navalny kishin denigruar “nderin e dinjitetin” e personave të përfshirë, mes të cilëve dhe një veteran i Luftës së Dytë Botërore.