Autoritetet italiane bëjnë me dije se Prokuroria shqiptare nuk u ka nisur ende mostrat e ADN-së së trupit të gjetur në makinën e djegur në Pukë, që dyshohet se i përket biznesmenit Davide Pecorelli.
Mediat italiane më herët kanë shkruar se ka shumë aspekte të ngjarjes që duhet të sqarohen, e që lidhen veçanërisht me lëvizjet e tij të fundit në Shqipëri.
“Si ka mundësi që telefoni dhe ora e Davide-s u gjetën pa dëmtime, kur makina e djegur u shkatërruar plotësisht? Për hetuesit shqiptar zjarri mund të ketë qenë aksidental, por nuk shpjegohen shkaqet e zjarrit. Tezat e hetuesve lokale nuk janë aspak bindëse, ka ende shumë pyetje pa përgjigje dhe zhdukja e Davide Pecorelli është gjithnjë e më tepër një mister që nuk bind pjesëtarët e familjes”, do të shkruante “Umbria Domani”.
Hetimet lidhur me rastin nisën nga Policia Shqiptare, por përmes Interpolit u angazhua edhe Zyra e Prokurorit Publik të Perugia-s.
Ish-gjyqtari i futbollit mbërriti në 3 janar në Shqipëri. Ai shkoi në Vlorë dhe më pas në Shkodër me destinacion përfundimtar Pukën ku qëndroi për dy netë.
Më 6 janar Davide humbi kontaktet me të afërmit, dhe nuk dihet nëse eshtrat në makinën e djegur i përkasin atij. Në një mesazh të dërguar në “WhatsApp” për një mik biznesmen në, Peccoreli shkruan: “Unë hapa një show-room në një qendër tregtare… Deri në datën 6 është luftë. Unë kam rezervuar biletën e kthimit për 10 janar”.
g.kosovari