Policia e Shtetit ka zhvilluar gjatë natës në aksion në Fier, Durrës dhe Tiranë për të prangosur të dyshuarit për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, disa ditë më parë në fshatin Sheq. Mësohet se gjatë natës, efektivët e Policisë kanë hyrë nëpër banesat e të dyshuarve dhe kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e provave që mund t’i lidhin me vrasjen e 42-vjeçarit.
Ndërkohë policia ka shoqëruar tre persona të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Burime për abcnews se shoqërimi i tyre është bërë në bashkëpunim me policinë e Fierit.
Pas ekzaminimit të trupit të Kastratit, rezultoi se goditjet kanë qenë në pjesën e krahut, ndërsa një plumb e ka goditur në kokë, i cili i ka marrë edhe jetën. Mësohet se njërin plumb e ka në krah dhe tjetrin në ballë, pasi dyshohet se ka kthyer kokën në momentin e ngjarjes dhe ka parë autorin.
Edhe pse ende nuk ka një pistë të saktë, mendohet që hasmëria dhe konfliktet e vjetra mund të kenë çuar në ekzekutimin e 42 vjeçarit, vetëm pak metra larg biznesit të tij dhe në një rrugë që e frekuentonte pothuajse përditë.
Ngjarja ndodhi të hënën mesditë në rreth rrotullimin e Sheqit në Fier. Pas ngjarjes, autori është larguar me një makinë tip “Range Rover”, e cila u gjet më pas e djegur në fshatin Daullas të Fierit. Policia ka gjetur brenda makinës një armë tip “Scorpion” me silenciator, e cila dyshohet se është përdorur nga autori.
g.kosovari