Analisti Fatos Lubonja sulmoi qeverinë për vaksinat anti-Covid, duke thënë se nuk bëri aspak transparencë për mënyrën se si i futi në Shqipëri. Gjithashtu, Lubonja u shpreh në një lidhje me “Skype” për emisionin “Real Story”, në News24, se jemi i vetmi vend, që po i injektojmë vaksinat në një stadium.
Pjesë nga debati:
Lubonja: Tani po fajësojmë shumë BE për të gjitha gjërat që s’na erdhën ne vaksinat, ndërkohë që nuk po vështrojmë përgjegjësitë që kemi ne, që këto vaksina të mund të na vinin të sigurt dhe jo siç erdhën, që s’i morëm vesh. Nuk mundet përgjegjësitë tona, që janë shumë të mëdha, t’i mbulojmë me këtë vështirësi që ka gjithë bota. Ne jemi në fund fare, jemi lënë në imunitetin e tufës. Kur erdhën vaksinat e famshme të parat, shpejtësia me të cilën ato u injektuan ishte aq e ngadaltë, sa ndjeva që ne nuk jemi të përgatitur, nëse vijnë më shumë. Nuk ka transparencë nga ana e qeverisë sonë për të kuptuar përgjegjësinë tonë. Nëse jemi shtet, duhet të kemi kontrolle ndaj këtyre vaksinave që hyjnë, ndryshe jemi katandisur këtu ku jemi. Edhe bota është përpara të panjohurash e të papriturash përpara këtij virusi.
Lubonja: Nuk kam parë ndonjë vend që të bëhen vaksinat në stadium. Pashë në Turqi ku njerëzit shkonin në spital dhe kishte dhoma ku ata vaksinoheshin, dhe dhoma për të pritur nëse do të kishte reaksion. Por të shkosh të bësh vaksina në stadium, mua më la përshtypjen… Nuk kam parë në Evropë të bëhen vaksina në stadiume.
Tomini: Një saktësim, është filluar një vaksinim i centralizuar, te stadiumi, duke përvijuar me hapësira të tjera. Kemi zgjedhur ambiente të hapura, ku të ketë shumë poste vaksinimi. Kemi dhoma në çdo qendër shëndetësore për aplikimin e vaksinave rutinë, por që nuk kanë lidhje me situatën e pandemisë. Në kapacitete stoku të vaksinës, sigurisht që do të përvijohet me Vlorën e Shkodrën dhe më pas me vaksinimin kapilar. Përsa i përket ruajtjes së vaksinës, qeveria ka mundësuar frigoriferët me minus 80 gradë tek ISHP. Sa i përket logjistikës, aftësisë për vaksinim, janë kryer të gjithë trajnimet, në tre pika të centralizuara, duke përvijuar me trajnime kaskadë. Kapacitetet për vaksinën në minus 70-80 gradë janë 250 doza.
Lubonja: Nuk u tregua as nga erdhën vaksinat, as certifikata nga ka dalë. Ka shumë gjëra që na bëjnë të mos besojmë. Edhe domatet kur vijnë nga jashtë tregohet nga ka ardhur, apo një kuti konservash. Si ka mundësi që ato vaksina erdhën pa u treguar asgjë dhe u injektuan te njerëzit. Megjithatë, këtu do jemi, do ta shohim.